Mediu: Kërkesa për rigjykim të çështjes “Gërdeci” nuk sjell dobi

Tiranë, 3 nëntor 2021 – Kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, ka dalë në një konferencë për mediat, pas vendimit të Apelit të GJKKO, i cili i hapi rrugë rihetimit dhe rigjykimit të tij për çështjen e Gërdecit.

Mediu deklaroi se kërkesa për rigjykim nuk sjell asnjë dobi.

“Dua të them se janë akte juridike në kundërshtim të plotë me Kodin penal dhe se kërkesa për rigjykim nuk sjell asnjë dobi. Këto shkelje nuk kanë për qëllim drejtësinë. Propaganda manipulative dhe keqinterpretimi i fakteve kanë krijuar perceptimin se Ministri i Mbrojtjes është përgjegjës për atë ngjarje. Nuk kam reaguar, por duket se i është krijuar terren çdo intriganti që të spekuloje. Janë fakte të pakundërshtueshme se nuk kam pasur asnjë lidhje direkte me ata që kanë zhvilluar demontimin në Gërdec. Nuk ka asnjë presion nga ana e ministrit. Të gjitha aktet kanë qenë pjesë e konsultimit të plotë me të gjitha nivelet. Pranë ministrit nuk është prezantuar asnjë shqetësim”, tha ai.

Gjithashtu ai theksoi se nuk është ai shkaktar i pasojave, duke u shprehur se nuk është e vërtetë se ka pasur një vendim për të.

“Unë kam kërkuar heqjen e mandatit. Prokuroria ka bërë një hetim për mua dhe familjen time si për asnjë politikan tjetër.  Nuk është e vërtetë që për mua nuk ka pasur vendim. Ajo që sot SPAK kërkon sot janë çështje të shqyrtuara nga Gjykata e Tiranës në 2014 dhe në 2018. Kush nuk do që ti shikojë këto fakte është abuzues e spekulant”, tha ndër të tjera Mediu.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Apelit të GJKKO për çështjen e Gërdecit.

(BalkanWeb)