Mediu: Opozita të propozojë kandidat të përbashkët për president ose të tërhiqet nga procesi

Tiranë, 19 maj 2022 – Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu deklaroi në tryezën e sotme për zgjedhjen e presidentit se opozita po bëhen pjesë e një procesi farsë për sa kohë nuk dorëzon emra konkretë.

Mediu u shpreh se opozita duhet të dalë me kandidatë të përbashkët ose të tërhiqet nga procesi.

“Kriteret dhe parimet janë të vlefshme. Po të doni vendosim 10 cilësi për presidentin. Ajo që unë mendoj si opozitë është absurd nëse ne hyjmë në proces pa pasur kandidaturë. Hyrja pa kandidaturë i jep shans justifikimit të një farse të zgjedhjes së presidentit. Ne si opozitë ose duhet të dalim në mënyrë të përbashkët me kandidatë ose të marrim qëndrim për të mos u bërë pjesë e këtij procesi. Nuk kemi kohë më. Para se të ulemi me ju duhet të ulemi mes vetes sonë’, tha Mediu.

Ai theksoi se brenda këtyre ditëve duhet të merret një vendim për qëndrimin e opozitës.  “Ose duhet të vendosim brenda këtyre ditëve kandidaturat ose të lëmë këtë marrëdhënie që u bë e papranueshme për vetë opozitën. Nëse ulemi me njëri tjetrin kemi dy tre kandidatura. Përgjegjësia morale përballë opinionit publik është e tyre.

Nuk kam pasur dhe kam pikë mëdyshje që maxhoranca e do për vete presidentin. Kushtetuta na obligon të marrim pjesë në proces. Nuk kam asnjë problem me sjelljen e maxhorancës. Ajo që e bën procesin të mirëqenë në raport me Kushtetutën është qëndrimi ynë si opozitë. Mund të ketë praktika të reja por jemi përpjekur të arrijmë konsesusin. Kemi vënë në plan të parë vendin dhe interesat kombëtare. Nuk është vetëm në paktin që raundi i katërt dhe i pestë është për bojkot të opozitës”, tha ai.

(Balkanweb)