Megjithatë, SHBA do t’i dërgojë Ukrainës sisteme raketore ATACMS

Uashington, 22 shtator 2023 – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e ka informuar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se Uashingtoni do të vazhdojë ta furnizojë Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi ATACMS, raportoi NBC News, duke iu referuar tre zyrtarëve amerikanë dhe një kongresmeni.

Ukraina po i kërkon administratës së Presidentit Biden sisteme raketore taktike (ATACMS) për të sulmuar bazat ajrore dhe për të ndërprerë linjat e furnizimit nëpërmjet rrjetit hekurudhor në territorin e pushtuar nga Rusia.

Sistemi raketor ATACMS ka një rreze veprimi prej 306 kilometrash. Ky sistem është dizajnuara për sulme shumë larg vijës së frontit.

Të enjten, Zelensky u prit në Uashington nga Presidenti Biden. Me atë rast, ai u njoftua se SHBA do të dërgojë në Ukrainë një paketë të re ndihme ushtarake, në vlerë prej 325 milionë dollarësh.

Biden e siguroi Zelenskin se vendi i tij do të vazhdojë ta ketë mbështetjen e fortë të SHBA-së për zmbrapsjen e agresorëve rusë, pavarësisht kundërshtimit të disa ligjvënës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, Jake Sullivan, deklaroi të enjten, në një konferencë për shtyp, se SHBA do ta furnizojë Ukrainën me sisteme “të rëndësishme” të mbrojtjes ajrore, por j”tash për tash” jo me raketa me rreze të gjatë ATACMS që po i kërkon Kievi.

Pentagoni nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me këtë deklaratë.

(r.m.)