Mehaj: Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për ushtrinë

Prishtinë, 30 mars 2023 – Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e tokave në Babaj të Bokës që gjendet në komunën e Gjakovës, dhe në Aeroportin e Gjakovës.

Shpronësimi i këtyre tokave dhe kalimi i tyre si pronë e Qeverisë së Kosovës do të mundësojë fillimin e zbatimit të projekteve strategjike për ushtrinë e Kosovës në këto dy zona.

Këtë e kanë bërë të ditur në një konferencë për media të enjten ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes dhe Babaj e Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së, në të cilën do të ndërtohen poligone taktike sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Ndërkaq në Aeroportin e Gjakovës, sipas Mehajt, planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës.

Realizimi i këtyre projekteve, sipas tij, po bëhet me qëllim të rritjes së kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Investimet në këto projekte infrastrukturore do të bëhen në bashkëpunim me partnerët strategjikë të Kosovës, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këto projekte, Mehaj ka thënë se në mënyrë direkte do të investohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Bëhet fjalë për investime milionëshe për të garantuar që ushtria jonë do të ketë t’i gjitha kushtet për zhvillimin e trajnimeve për kapacitete mbrojtëse. Këto poligone taktike do të jenë në funksion, jo vetëm për ushtrinë e Kosovës, por për të gjithë partnerët tanë strategjikë”, ka shpjeguar Mehaj.

Aeroporti i Gjakovës, pas luftës së viteve 1998/99, është rindërtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë.

Deri në vitin 2013, ai është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të misionit të NATO-s.

Në dhjetor të atij viti, pas një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet qeverive të atëhershme të Italisë dhe Kosovës, Aeroporti i Gjakovës me të gjitha mjetet për operim është transferuar tek autoritetet e Kosovës.

Gjashtë vjet më vonë, me një vendim të Qeverisë së Kosovës, aeroporti i është dhënë në shërbim Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Fakte për Aeroportin e Gjakovës

Aeroporti i Gjakovës gjendet rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Gjakovës. Është i vendosur në një hapësirë relativisht të rrafshët – rreth 400 metra mbi nivelin e detit.

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës i ka bërë atij një auditim në vitin 2016.

Në këtë aeroport është e instaluar Kulla mobile e kontrollit të trafikut ajror, e pajisur me sistemet e nevojshme të komunikimit tokë-ajër; aeroporti ka edhe infrastrukturën e furnizimit me rrymë dhe ujë dhe mjetet për furnizimin e aeroplanëve me karburante.

Aeroporti ka një sistem të vetëm piste me një rrugë paralele për taksim. Pista është 1.799 metra e gjatë dhe 30 metra e gjerë.

Terminali i aeroportit përbëhet nga hapësirat e terminalit të udhëtarëve dhe mallrave, parkingu i aeroplanëve, hapësirat për ngarkim dhe shkarkim dhe hapësirat për shërbime të udhëtarëve.

Aeroporti i Gjakovës është formuar dhe funksionalizuar që pas Luftës së Dytë Botërore për nevoja të agro-kulturës. Në vitet ’90, ai ka pushuar së funksionuari deri në kohën kur është marrë nga KFOR-i.

(REL)