Mehaj e krahason një efektiv të Njësisë Speciale Intervenuese me 50 ushtarë të NATO-s

Prishtinë, 8 shtator 2024 – Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se efektivi i Njësisë Speciale Intervenuese (FIT) është efektivi më i përgatitur i Policisë së Kosovës.

“FIT është grupimi më i mire i njerëzve,atdhetar, vetmohues dhe professional, te trajnuar me praktikat me te mira te njesive elite me renome botërore si , N Seals, G Berettes, GiGN, Ozel Harekat e shumë tjera”, ka shkruar Mehaj në një postim në Facebook, me rastin e 25 vjetorit të krijimit të Policisë së Kosovës.

Mehaj ka thënë se kjo njësi e ka dëshmuar përgatitjen e saj në intervenimin ndaj sulmit të grupit të armatosur të serbëve në Banjskë, në shtator të vitit të kaluar. Sipas tij, pas këtij intervenimi Kosova ka fituar respekt në qarqet ndërkombëtare të sigurisë.

“Kjo njësi në menyrë kirurgjikale ka arritur që në një kohë rekord te vendosë nën kontroll situatën e krijuar ku e ka çmontuar komplet grupin me mbi 100 terroristë që sulmuan dhe cenuan rëndë rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Ajo betejë e bërë nga këta djem atë ditë bëri që Kosova të fitojë respekt në qarqet e sigurisë ndërkombëtare, ku e njëjta betejë është bërë objekt studimi nëpër organizmat e sigurisë së aleatëve dhe me gjerë”, ka shkruar ai.

“Këta djem atë ditë kanë shpërfaqur edhe një vlerë te lartë morale duke bërë maksimumin që gjatë gjithë kohë se zhvillimeve të armatosura atë ditë, kanë mbrojtur jetën dhe pronën e të gjithë banorëve lokal të gjendur në vendbanimet e tyre në vendin e incidentit, në këtë menyrë e kan ngritur nivelin operacional për studime edhe nga partnerët tanë. Atë ditë këta djem e kan parandaluar nje gjakderdhje të madhe e cila mund të pasonte ne ditët në vijim”, ka theksuar Mehaj.

Ish-ministri Mehaj ka thënë se Njësisë Speciale Intervenuese e ka kryer në Banjskë një operacion që në vendet e NATO-s e kryen një batalion prej 50 deri 100 trupa ushtarake.

“Në përvojën time si oficer/ushtarak, e sidomos ne botën e forcave dhe operacioneve speciale, nëse kjo lloj situate do të shfaqej ne secilin shtet te NATO-s, minimumi i personelit që do ishte angazhuar do ishte nje batalion plus, i cili ka në veten e tij 500 deri 1000 trupa ushtarake”, ka shkruar ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

(r.m.)