Prishtinë, 6 janar 2023 – Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka konfirmuar se i dyshuari për plagosjen e dy të rinjëve serbë në Drajkovc të Shtërpcës, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës, është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Mehaj, në një postim në Facebook, ka thënë se me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë, por ai do të trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Mehaj u ka uruar shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Ai e ka dënuar aktin, duke theksuar se aktet si ky nuk guxojnë të ndodhin.
Postimi i plotë i Mehajt:
Të dashur qytetarë,
Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë.
Shpreh keqardhjen më të thellë për atë që ka ndodhur në Shtërpcë. Të plagosurve, u uroj shërim sa më të shpejtë. Raste si kjo janë të izoluara, por si të tilla nuk guxojnë të ndodhin.
Ministria e Mbrojtës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës mbeten të përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve tanë pa dallim.
(r.m.)