Mehaj: Kosova është e gatshme të strehojë 5 mijë refugjatë ukrainas

Bruksel, 14 shkurt 2023 – Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova është e gatshme të strehojë 5000 refugjatë ukrainas.

Mehaj ia ka thënë këtë gjatë një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në margjina të takimit të nëntë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, në Bruksel.

“Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë, me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma që mund të shpëtojë jetë e t’i japë fund terrorit. Jemi me popullin ukrainas dhe do të ofrojmë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve tona”, ka shkruar Mehaj në një postim në Facebook, pas takimit me sekretarin Stoltenberg.

Postimi i Mehajt:

Sot në Bruksel në takimin e nëntë  të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ku morën pjesë 54 shtete, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, Kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjenerali Mark Milley, theksuan edhe një herë rëndësinë që secili prej shteteve të ofroj të gjithë ndihmën e nevojshme për Ukrainën dhe popullin ukrainas të cilët po përballen me agresionin rus, një lufte të padrejtë që duhet dhënë fund.

Mes të tjerash Stoltenberg gjatë fjalimit të tij tha se nuk kemi kohë për të humbur, dhe se përmes shpejtësisë së veprimeve tona do të shpëtojmë jetë. Jam plotësisht dakord me këtë, andaj edhe gjatë takimeve që bashkë Gjenerallejtënant Jasharin kisha me Stolterberg, Ministrin e Mbrojtjes të Kroacisë, Ministren e Mbrojtjes së Letonisë, Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në NATO , Visho Ajazi Lika, edhe një herë shpreha gatishmërinë tonë si Qeveri e si Ministri e Mbrojtjes që në çdo kohë të strehojmë 5000 refugjatë ukrainas, e po ashtu të ofrojmë mbështetjen përmes trajnimit të ushtarakëve ukrainas në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.

Si një shtet që jemi përballur me një agresor të tillë me mentalitet okupues e gjenocidal, e kuptojmë shumë mirë luftën e popullit ukrainas për liri, e gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm që ka faktori ndërkombëtar në këtë mes, ndihma  që mund të shpëtoj jetë e t’i jep fund terrorit.

Jemi me popullin ukrainas dhe do ofrojmë çdo ndihmë që është brenda kapaciteteve tona.

(r.m.)