Prishtinë, 1 prill 2022 – Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, raportoi të premten në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Kuvendit të Kosovës.
Ndër të tjera, Mehmeti u pyet edhe lidhur me pjesëmarrjen e disa zyrtarëve policorë serbë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë. Ai tha se me këtë veprim policët serbë kanë kryer vepër penale, prandaj çështja i është përcjellë Inspektoratit Policor të Kosovës.
“Ne kemi vlerësuar se ata kanë shkuar, sipas nesh, kanë kryer vepër penale ose dyshohet se kanë kryer vepër penale. Për këtë arsye edhe i kemi dërguar në Inspektorat. Jemi duke pritur se cilat do të jenë masat që i ka ndërmarrë ose do t’i ndërmarrë Inspektorati”, ka thënë Mehmeti.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljama Stevanoviq, për shkak se ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, bashkë me zyrtarët policorë serbë.
Vuçiq ka reaguar menjëherë pas suspendimit të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljama Stevanoviq. Ai e ka cilësuar këtë si sulm të institucioneve të Kosovës ndaj popullit serb në Kosovë dhe ka theksuar se Serbia do të jetë “me popullin e saj”.
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku është diskutuar lidhur me pamundësimin e organizimit të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale të Serbisë në territorin e Kosovës, kanë marrë pjesë edhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, si edhe disa deputetë dhe kryetarë të komunave të Kosovës me shumicë serbe, anëtarë të Listës Serbe, partisë që dirigjohet nga Beogradi.
(r.m.)