Mexico City, 28 qershor 2022 – Presidenti i Meksikës, Andres Manuel Lopez Obrador, fajësoi trafikimin dhe “mungesën e kontrollit” në kufi për vdekjen e të paktën 50 emigrantëve të braktisur në një kamion në Teksasit. Ai e quajti ngjarjen një “tragjedi të jashtëzakonshme” dhe tha se Meksika do të punojë për të riatdhesuar eshtrat e qytetarëve të saj.
“Kjo dhe vdekje të tjera të emigrantëve vijnë për shkak të “varfërisë dhe dëshpërimit të vëllezërve tanë të Amerikës Qendrore dhe meksikanëve,” tha ai.
“Kjo ndodh sepse ka trafikim njerëzish dhe mungesë kontrolli, në këtë rast në kufirin mes Meksikës dhe SHBA-së”, shtoi Lopez.
Autoritetet po punojnë për të konfirmuar kombësinë e viktimave të mbetura. Sipas autoriteteve amerikane, tre persona “që besohet se ishin pjesë e komplotit të kontrabandës” janë arrestuar.
Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se Meksika i është bashkuar hetimit dhe po dërgon një ekip në Teksas për të ndihmuar me hetimin.
Emigrantët u gjetën në periferi të qytetit të San Antonio, i cili është 250 km larg nga kufiri SHBA-Meksikë, dhe është një rrugë kryesore tranziti për kontrabandistët e njerëzve.
Trafikantët e qenieve njerëzore shpesh përdorin kamionë për të transportuar emigrantë pa dokumente pasi i takojnë ata në zona të largëta teksa kanë arritur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Ata kishin familje… dhe me gjasë po përpiqeshin të gjenin një jetë më të mirë,” tha kryebashkiaku i San Antonios, Ron Nirenberg.
“Nuk është asgjë më pak se një tragjedi e tmerrshme njerëzore”, tha ai.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbot, ka fajësuar presidentin amerikan Joe Biden për vdekjet, duke e përshkruar situatën si “rezultat të politikave të tij vdekjeprurëse për kufij të hapur”.
(REL)