Melburn, 17 prill 2023 – Mellburni ka kaluar Sidnejin me numër të banorëve dhe është bërë qyteti më i populluar i Australisë.
Sidneji e ka mbajtur këtë epitet për më shumë se 100 vjet. Por, me rritjen e shpejtë të popullsisë në periferi të Melburnit, kufijtë e qytetit janë zgjeruar, duke përfshirë edhe zonën Melton.
Shifrat e fundit të Qeverisë australiane tregojnë se Melburni i ka 4.875.400 banorë, 18.700 më shumë se Sidneji.
“Rritja e shpejtë e Melburnit lidhet kryesisht me migrimin ndërkombëtar”, ka thënë për BBC-në demografja Liz Allen, nga Universiteti Kombëtar i Australisë.
“Ndryshe nga Sidneji, Melburni e mirëpret diversitetin”, ka thënë ajo.
Kjo nuk është hera e parë që Melburni e merr epitetin e qytetit më të madh të Australisë. Në fund të shekullit të 19-të e deri në vitin 1905, Melburni ishte rritur me shpejtësi dhe e kishte kaluar Sidnejin, si rezultat i lëvizjeve të mëdha të popullsisë.
(r.m.)