Na thirri gjaku!
Nga Keze Kozeta Zylo
Memaliajn e florinjtë unë nuk mund ta konceptoj ndryshe, por vetëm si qytetin e minatorëve, qytetin e Vjosës, apo qytetin e nëndheshëm ku nxirrte “floririn e zi” dhe ua dhuronte familjeve shqiptare të ngroheshin në sobat e pafillta, të çelikta apo në gjithë fabrikat, uzinat dhe më gjerë…
Kjo minierë nxirrte 28% të sasisë së qymyrit në shkallë vendi.
Memaliaj së florinjtë i këndojnë dy artistët e shquar të Kombit Agron Llakaj dhe Ylli Baka. Ata i këndojnë si: “Minera qyteti i zemrës ku hodha hapat e para, muzikë e ëmbël e Vjosës simfoni që ndjek nga mbrapa/ Atje larg e kam lenë, qëkur minerën time/ O thesar mbi thesare erë e ngrohtë e thellësive”.
Miniera e floririt sot ka nevojë për ndihmë dhe investime për ta ngritur dhe bërë zonjë këtë Portë të Jugut!
Memaliaj mjerisht ende vuan ekonomikisht edhe pse ka pasuri nëntokësore të jashtëzakonshme, ku në kohën e diktaturës u shfrytëzua maksimalisht për t’i marrë qymyrin, ku mijëra e mijëra punëtorë punuan në këto galeri për të mbajtur familjet e tyre. Nuk ka familje apo më mirë shumica e anëve tona të mos ketë pasur nga një anëtar të punonte brenda nëntokës dhe të mbante gjithë familjen për jetesë.
Miniera duhet të funksionojë të risjellë gjallërinë, pushtetet duhet t’i lënë mënjanë egot e shfrenuara partiake, ngase ruajtja e zemërimit është si të prekësh një qymyr të ndezur me qëllimin për ta hedhur te dikush tjetër; por në fakt ti që e hedh tek të tjerët digjesh thotë filozofi i famshëm i budizmit, Buda.
Por ndonjëherë mund të ndodh sipas Kissinger nobelistit amerikan i cili mendon se “A diamond is a chunk of coal that did really well under pressure.” Që përkthehet si: “Një diamant është një copë qymyri që funksionon shumë më mirë nën presion.”
Natyrisht ka një lëvizje për mirë, ka shpresë se do të ngjitet atje ku e meriton, sidomos kur ka lider me vizion dhe bashkëpunues siç është z. Albert Malaj kryetar i Bashkisë Memaliaj, zgjedhur më së shumti nga vota e demokratëve.
Motoja që shoqëron Bashkinë dhe skenat e ndryshme është: “Memaliaj na thërret”. Më konkretisht në Memaliaj u mbajtën madhërisht dy netët e festivalit folklorik mbarëkombëtar “Jehona e Vjosës” me një sukses të jashtëzakonshëm.
Jehona e Vjosës në Memaliajn e florinjtë, në mbarë Kombin dhe në Diasporë
Memaliaj na thërret është motoja që na shoqëron kudo, ndaj si bij të Tepelenës dhe Memaliaj na thirri gjaku të ndodheshim pranë këtij festivali, ta dëgjonim dhe ndjenim nga afër gurrën e pashterrshme popullore të Kombit tonë.
Në vapën përvëluese deri në 43 grad celsius çuditërisht njerëzit vinin grupe-grupe uleshin gjithë mirësi dhe kulturë për të parë Festivalin mbarëkombetar. Ndoshta “Jehona e Vjoses” që rrinte në ballë të skenës si nuse e bukur me tela, apo flladi i lumit që është buzë qytetit freskonte lëkurën tonë i bënte dhe më magjike dy netët e hënta gati qiellore.
Perëndia kishte sjellë një kombinim të hatashëm në këto dy net midis Hënës që ishte si fetë portokalli në qiell dhe rrëzohej në ujërat e blunjta të Vjosës duke sjellë mërmërimën, përkëdhelinë e saj midis nesh. Në krye të këtij organizimi marramendës të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar ishte artisti i mirënjohur Viktor Alia që me inisiativën e tij nën drejtimin e z. Malaj dhe Shoqatës Kulturore Artistike “Tafil Buzi” me kryetar z. Medin Duro dhe mbështetjen e Ministrisë Kuturës, Ekonomisë dhe Inovacionit të cilët bën të mundur realizimin e tij.
Nuk befasohem me këtë organizim të përsosur pasi z. Viktor Aliu i cili ka krijuar grupin “Thesaret Labe” i ftuar nga Qemal Zylo themelues dhe drejtues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” çau Qqeanin “Atllantik” me grupin virtuoz me anëtarë Pëllumbin, Gëzimin, Valterin, Zylyftarin, Margaritën dhe Adin dha koncerte nëpër shkolla dhe në skenat e New Yorkut duke u duartrokitur dhe mirëpritur nga Diaspora Shqiptaro Amerikane.
Skena madhështore që mirëpriti qindra artistë nga gjithë Kombi ndrinte nga shkëlqimi i rrobave të krahinave të ndryshme, kapelet me stoli të florinjta në kokë, veglat muzikore si lahuta, fyelli, çiftelia etj.
Akoma më shkëlqim i jepte moderatorja, ikona e skenave artistja e shquar Silvana Braçe e cila me buzëqeshjen e saj të trëndafiltë aromatizonte skenën dhe publikun. Juria tepër e përzgjedhur përbehej nga tri yje të artit, Mjeshtra të mëdhenj si Prof. Zhani Ciko, kryetar, Agron Llakaj, Ermir Dizdari anëtarë.
Stafi i organizimit të festivalit i gjithë në këmbë, regjisori i shquar Xhelil Aliu qe është një ndër folësit më të njohur të Shqipërisë, zëri i të cilit është fiksuar në mbi 6000 dokumentarë që transmetohen në kanale të ndryshme televizive nuk e linte meraku dhe gjendej kudo për të ndihmuar dhe për të vajtur punët sa më mirë.
Të nderuar të ishim të ftuar dhe të prezantoheshim nga moderatorja e mirënjohur, artistja Silvana Braçe dhe të përshëndesnim në këtë aktivitet të madh kombëtar si përfaqësues të TV dhe Shkollave Shqipe në New York si bij të vendit, autokton. Respekte për vlerësimin me mirënjohje nga Festivali Folklorik Mbarëkombetar si Misionarë të shquar në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare.
Ishte një natë feste e mirëpritur nga publiku dhe sensibilizues për Kombin. Memaliaj një qytet buzë Vjoses do te tërheq shumë vizitorë për historine dhe bujarinë e tij.
Festivalet sollën perlat e folklorit tonë, bërthamë e pashtershme e krojeve të shpirtrave tanë që nga lashtësia. Gurra popullore dha dramat tronditëse, lidhjen shpirtërore me tokën amë, baladat dhe legjendat që janë të injektuara në zemrat e rapsodëve. Këta artistë popullorë të japin çelësat poetikë për të studjuar mistiken, të panjohurat akoma, elementet metaforike që e ngrejnë në piedesatal rapsodin apo vajtojcat e Jugut që janë fond antologjik për Kombin.
Këto këngë vijnë si kronikë gjeografikisht mbarëkrahinore të krijuara nga bardët e teksteve virtuozë.
Grupet arritën të skanojnë arkitekturën shpirtërore mbi epikën dhe mbi poezinë gojore shqipe si një ndër manifestimet më të rëndësishme në fushën e trashëgimisë shpirtërore kombëtare.
Folklori muzikor shqiptar është tejet i pasur, që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, që u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone, kordofone, areofone.
Festivali “Jehona e Vjosës” erdhi si një ushqim shpirtëror, burim për buzët e etura për këngë, mikpritje dhe kuvendim në odat e burrave, qerasje me mjaltë lirikash nga grate artiste shtojzovalle.
I dëgjoja me vëmendje gjithë grupet në skenë dhe më dukej sikur mësova tekstet e tyre me disa fragmente përmendsh. Grupet ishin si: Memaliaj, Arrëza e Madhe unike autoktone, Grupi i Qëndrës Kulturore të Fëmijëve Memaliaj “Thesaret Labe”, Bilbili, Gjirokastra, Delvina, Saranda, Maqedonia e Veriut, Malit i Zi, Çamëria, Himara, Struga e Metvegja, Përmeti, “Krojet e Velçës”, Jehona Labe, “Shqiponja” Sarandë me artistin e njohur Xheladin Beqirin, Grupin e Sevasterit, Autoktonët, Shoqëria Kulturore-Artistike Gurra e Picarit, Djemët e Delvinës, Lazarati, Selam Musai, Maliq Lila, Sazet e Përmetit, Mallakastra, Tingujt e Polifonisë, Komari, Himara, Ansambli Azis Ndreu Dibër, Kastriotët Ferizaj Kosovë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Deçan, Asambli “Valët e Liqenit”, Strugë, Ansambli “Taip Madani” Çamëri,
rapsodi dhe istrumentisti nga Medvegja e Presheva, Rexhep Abazi, rapsodi e këngëtari i mirënjohur kosovar Z.Fatmir Berisha i cili pershendeti me tekstin e dashur kushtuar Memaliajt.
U vlerësuan me çmimin e paŕë të festivalit, Grupi Karakteristik i Himarës me ikonën e këngës së bregdetit Katina Belerin, ndersa Ansambli i Këngëve dhe Valleve Deçan mori çmim të dytë.
Urojmë që ky Festival me emrin më të bukur “Jehona e Vjosës” me drejtues z.Viktor Aliu të vazhdojë përjetësisht, sepse solli dritën e shekujve të folklorit burimor, dritë që s’do të shuhet kurrë. Njëkohësisht i bën dhe shërbimin më të mirë, qytetit të Memaliajt, Portës së Jugut Shqiptar dhe Diaspora me rrënjët nga ky qytet dhe më gjerë do të jetë aty, i thërret gjaku.
2 shtator, 2024
New York