Tiranë, 24 korrik 2023 – Kandidati i Partisë Socialiste, Edison Memolli fitoi zgjedhjet e përsëritura për bashkinë Rrogozhinë me 1702 vota më shumë se kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.
Sipas rezultatit final të publikuar të hënën në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Memolla ka marrë 6658 vota ose 1538 vota më shumë se në 14 maj, ndërsa kundërshtari i tij Hoxha ka marrë 4906 vota, duke humbur 191 vota nga rezultati i 14 majit.
Në zgjedhjet e së dielës pjesëmarrja ishte më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit, nga 32% ne 36% dhe krahasimi i rezultateve tregon se kjo pjesëmarrje ka favorizuar Memollën.
Dita e votimit u shoqërua me disa incidente, kur një votues u kap duke fotografuar votën dhe u vu re prania e personave të paautorizuar në qendrat e votimit. Në një njoftim për shtyp të dielën, KQZ u tërhoqi vëmendjen e përfaqësuesve politikë dhe kandidatëve që të respektonin heshtjen zgjedhore dhe solemnitetin e ditës së votimit.
Gjithashtu, KQZ tërhoqi vëmendjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që të respektojnë Kodin Zgjedhor dhe të mos lejojnë persona të paautorizuar në Qendrat e Votimit.
Zgjedhjet u përsëritën me vendim të Kolegjit Zgjedhor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kontestonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për njohjen e tyre.
Koalicioni opozitar dhe kandidati Hoxha kontestuan një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, e cila përmbysi rezultatin në favor të kandidatit të Partisë Socialiste në pushtet, Edison Memolla.
Në kutinë e burgut, e cila u numërua e fundit, nga 92 vota, 80 ishin në favor të Memollës.
Kolegji, ndryshe nga KAS, konkludoi se qendra e votimit e ngritur në burg ishte e paligjshme dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk bëri verifikimet nëse ajo plotësonte kushtet ligjore.
Pretendimet e opozitës se në këtë qendër ishin lejuar të votonin të burgosur që nuk e kishin të drejtën ligjore për ta bërë këtë, pasi ishin transferuar në këtë burg pasi ishte shpallur lista e zgjedhësve, i gjetën të mbështetura në prova.
(Reporter.al)