Ribotuar me rastin e një vjetorit të ndarjes nga jeta
Prof. Dr. Shaban Sinani
Prof. Dr. Tomorr Plangarica
Një shkrimtar si Naum Prifti, me kontribute të spikatura e të shumanshme në institucionin tonë letrar të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar e dhjetëvjeçarët e parë të këtij shekulli (lëvrues i prozës për të rritur e fëmijë, në lloje të ndryshme të saj, me 16 vëllime me tregime e 40 të tjera me novela e përralla; i dramatikës, me 15 drama, komedi e dramatizime, i skenarit të filmit artistik, dokumentar e vizatimor, me 12 skenarë të tillë, përkthyes a shqipërues i disa kryeveprave të letërsisë botërore për fëmijë e të rinj, autor biografish, monografish, i letërsisë didaktike etj., me disa vepra të përkthyera në gjuhët anglisht, frëngjisht, rusisht, italisht, gjermanisht, arabisht, bullgarisht, greqisht), zë vend natyrshëm në hapësirat qendrore të këtij institucioni. Por është fatlum rasti kur këtyre kontributeve u shtohet edhe ai në një tjetër kënd të përpunimit të fjalës shqipe, të kulturës e intelektualitetit, siç është angazhimi në publicistikë, eseistikë e memuaristikë, angazhim i nxitur fillimisht si plotësim i kërkesave të përditshmërisë (ndërsa energjitë krijuese ishin të përqëndruara në krijimtarinë e mirëfilltë letrare), e shkallë-shkallë, ndërsa qenia krijuese thellonte përgjegjësinë ndaj statusit të qëndrueshëm në atë institucion, ky angazhim bëhet pjesë e përmbushjes së misionit që shkrimtari duhet të luajë si pjesë e atij institucioni në lidhje me shoqërinë ku jeton e krijon; për më tepër, kur ai lë modele tejet domethënëse të këtyre kategorive tekstore në letrat shqipe.
Por në trashëgiminë po ashtu të pasur në fushën e publicistikës, eseistikës dhe memuaristikëskës ka një anë të panjohur ose jo aq të njohur: faktin e pranisë së një produkti kulturor të përftuar kryesisht përgjatë viteve të periudhës së para nëntëdhjetës, produkt kulturor që mbeti i pabotuar, sepse ishte i pabotueshëm në kontekstet kufizuese ideologjike të asaj periudhe – një produkt i përftuar me pengun e pamundësisë së botimit, por njëherazi me entuziazmin e përmbushjes së misionit të intelektualit, eseistit, publicistit a shkrimtarit.
Janë shkrime, që sipas vetë Naum Priftit, u nxitën nga pozicionimi i heshtur i tij në funksion të së vërtetës, përkundër praktikave të ideologjizuara të raportit me të. Janë shkrime të viteve 1970, 1980, ndërsa vërente që “propaganda dhe llafologjia zotëronin te kryeartikujt, artikujt, madje dhe te reportazhet, pa përjashtuar as ato me sythin “nga blloku i shkrimtarit”; janë reflektim ndaj misionit që intelektuali krijues duhet të përmbushë në shoqëri, ndërsa ishte i bindur që publicistika nuk po e luante rolin e vërtetë në shoqërinë e kohës, dhe “pasardhësit do ta kishin të vështirë të zbulonin problemet e vërteta të shoqërisë sonë në ato shkrime të kohës, edhe sikur të rrinin gjithë jetën përmbys mbi koleksionet e gazetave e revistave”, ndërkohë që “shtypi i partisë u shkonte anash problemeve, nuk i prekte fare, ose i minimizonte”.[1]
Është një produkt i përftuar ndërsa shkrimtari po vetëdijësohej që duhej t’u ngjante sivëllezërve të tij në institucionin letrar në të cilin ai mëtonte të bëhej pjesë, të ishte i denjë për “familjen” së cilës mëtonte t’i përkiste. Dhe dihet tashmë se në atë institucion letrar “ekzistojnë edhe disa ‘familje të padukshme’, që luajnë rol në skakierën letrare, pa pasur nevojën e formësimit të një grupi të shpallur. Për më tepër, çdo shkrimtar bën pjesë në një familje të përzgjedhur prej tij, atë të shkrimtarëve të së shkuarës, ose bashkëkohës, të njohur personalisht ose jo, që ai i vendos në panteonin e tij vetjak dhe me të cilët mënyra e jetës dhe veprat i mundësojnë atij të legjitimojë vetë procesin e tij të të thënit”.[2]
Dhe në këtë vëllim sivëllezërit që Naum Prifti kërkon t’u përafrohet janë një komunitet i gjerë shkrimtarësh e savantësh që i kanë dhënë nxitje e zhvillim realiteteve letrare në hapësira e kohë të ndryshme, qysh me Prokop Cezareasin, e vijimisht me Gëten, Balzakun, Tolstoin, Dikensin, Migjenin, të cilët ai vetë i përmend nominalisht si nxitës të qëndrimeve të tij të asaj kohe[3]; por edhe të tjerë, të shumtë në numër, që janë të pranishëm në parashtrimet e argumenteve të tij në lidhje me brendi e fusha të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore e letrare në këto shkrime.
Dhe ata sivëllezër, “kishin të zhvilluar një shqisë të gjashtë apo antena të posaçme për të parandier shndërrimet që po ravijëzoheshin në horizontin e largët”; ndaj, thekson vetë Prifti, “i vura vetes qëllim të shkruaja për realitetin ashtu sikurse e ndieja, ashtu si e gjykoja, duke mposhtur autocensurën, kthetrat e së cilës vigjëlonin kudo që të futeshe. Duhej forcë shpirtërore, energji, guxim dhe shpërfillje e rrezikut që mund të vinte nga anë të ndryshme, për ta mposhtur atë monstër”.[4]
Jemi në vitet 70, 80 të shekullit të kaluar, kur Prifti udhëton e shkruan pa fund për mbresat e atyre udhëtimeve, synon ta njohë e interpretojë në mënyrë sa më objektive çdo dukuri që vëren në lidhje me mjediset ku shkon, krahinat, qytetet, fshatrat, njerëzit, traditat dhe historitë e tyre, pa lënë mënjanë njohjen e thelluar të mjediseve kulturore e artistike pjesë e të cilave ishte, pa lënë mënjanë, po ashtu, edhe krijimtarinë letrare për të cilën nxitjen jo pak herë e merrte edhe përmes kësaj njohjeje.
Për këtë periudhë, vetë ai pohon: “Fillova të mbaja shënime nga shfaqjet e teatrit, nga udhëtimet në zonat e thella dhe ndërkohë shkruaja tregime disidente “për veten time”. Asaj periudhe i përket vëllimi me ese e recensione “Teatri në kohën e krizës”, botuar në vitin 2000, mbresat e udhëtimit, esetë dhe reportazhet e vëllimit me titullin simbolik “Midis dy kohësh” dhe një sërë tregimesh disidente, nga të cilat deri tani kam botuar një pjesë të vogël. Të tre vëllimet i daktilografova në fund të viteve tetëdhjetë, me qëllim të botoheshin pas vdekjes, kur t’u vinte koha. Isha i sigurt se një ditë do të botoheshin. Do t’ua lija amanet vajzave të mia….”.[5]
Shënimet e udhëtimit, esetë a portretet, mbetur sirtarëve të Naum Priftit patën fatin ta dëshmojnë atë kohë të parë në një kohë të dytë që erdhi shumë më shpejt, madje qysh në gjallje të autorit. Vepra e tij, “Midis dy kohësh” doli në dritë në vitin 2005, ndërsa autori vetë mund t’i këqyrte me entuziazëm ato krijesa të tij, madje t’u shtonte të tjera, simotra të tyre në një kohë të dytë, dhe ta emërtonte edhe vetë vëllimin me titullin simbolik “Midis dy kohësh”.[6]
Titulli i vëllimit bart një simbolikë që lind nga kushtet e përftimit të shkrimeve në të, por bart natyrshëm edhe një simbolikë tjetër që vjen nga qasja e autorit të tyre në procesin e të shkruarit, një qasje paratopike, e përvijuar nëpërmjet raportit të intelektualit e shkrimtarit me kohën; nga prania e dy kohëve të pranishme në procesin e të shkruarit: të një kohe që rrjedh objektivisht prej së shkuarës drejt së ardhmes, dhe një kohe të dytë, subjektive, në të cilën shkrimtari kërkon të pozicionohet, përtej asaj objektives; është koha subjektive përmes së cilës ai kërkon t’i paraprijë asaj që do të vijë, asaj që duhet të vijë, sipas paratopisë kohore: “koha ime, s’është koha ime”; dhe falë kësaj paratopie, këtij raporti me kohën subjektive, krijesave të tij ai u mundëson dialogim me lexuesit e breznisë tjetër, përmes asaj “përtejkohe” që ai synoi të kishte të pranishme në ato shkrime mbetur sirtarëve; e po ashtu edhe paratopisë hapësinore: hapësira ku unë veproj nuk është ai vend që unë synoj; apo paratopisë gjuhësore: gjuha me të cilën unë duhet ta shpreh dhe përshkruaj, nuk është ajo që unë do të dua të jetë gjuha ime.
Eseistika e memuaristika e Naum Priftit, e pabotuar në kohën kur u shkrua, dhe e botuar në vitet 2000 (për fat të keq pak e pranishme në tavolinën e punës së studiuesve të tanishëm), bart vlera të veçanta në disa drejtime. Dhe këto vlera janë të lidhura jo vetëm me trashëgiminë e shkrimtarit, por, në një kuptim më të gjerë, me institucionin letrar e kulturor të sotëm. Ato shkrime:
– janë dëshmi pa filtra ideologjikë të një mentaliteti që bart veçantitë e epokës, por edhe vendeve e shtresave të caktuara sociale;
– janë dëshmi të sektorëve të caktuar të jetës sociale, jo shumë të vëzhguar nga brenda, siç është institucioni letrar, i shqyrtuar nga përfaqësues të atij institucioni, kontribues në formësimin e tij dhe njëherazi produkt i tij;
– janë dëshmi të një pasurie të dhënash që vijnë nga përballja vetjake e individit a qenies biografike, por edhe e shkrimtarit; por, më së shumti, edhe e përvojave të sivëllezërve të tij;
– janë dëshmi të procesit shqyrtues të vlerave letrare e kulturore, që i qëndrojnë trysnisë për mpakje në periudha diktature;
– janë dëshmi që vijnë nga risjellja në mendje e “legjendave urbane” me simbolikën dhe domethëniet e rikuptimësuara në vijimësi.
Ndaj, i vetëdijshëm, shkrimtari-publicist shkruan, edhe pse shkrimet do të duhet të presin kohën tjetër, përtejkohën për t’u vënë në kontakt me lexuesin. Në këtë mënyrë, koha subjektive e shkrimtarit është në harmoni me përtejkohën; ndaj “midis dy kohësh”, ai vijon në hullinë e nisur të krijojë e dëshmojë, pa pengun e mëkatit të detyruar në atë kohë të parë të shkrimësisë.
“E ndiej ndërgjegjen të qetë që solla fakte, mendime e gjykime të sinqerta nga ajo kohë e vështirë, plot rreziqe”, pohon Prifti në shkrimin e tij “Unë, si Prokop Cezareasi, – Në vend të parathënies dhe pasthënies”.[7]
Vlerë e prurjeve në këtë vëllim janë temat, problemet e ngritura, pikëvështrimet e Naum Priftit, gjerësia e shfaqjeve të një realiteti në një kohë e nën një ideologji të caktuar, të cilat sjellin një informacion tejet të bollshëm për atë epokë; vlerë e prurjeve në të janë gjithashtu interpretimet a rezervat e shprehura nga një shkrimtar-intelektual i kohës, në atë çka edhe vetë ai e quan një “disidencë e pashpallur”; por me vlerë të veçantë është edhe dëshmimi i Priftit për rrugën dhe natyrën që përvijoi “institucioni letrar” i kohës nga kontributet e personaliteteve që nuk iu nënshtruan diktatit ideologjik, të cilët përbëjnë tashmë atë profil të munguar të atij institucioni, që në etapën e tanishme dhe në të ardhmen duhet të jetë i pranishëm dhe të shfaqet më i plotësuar në qasjet tona studimore. Mungesa e atyre profileve, e dëshmuar tashmë edhe përmes portretizimeve të bëra prej Naum Priftit, do ta lërë të gjymtë sërish fizionominë e atij institucioni, i cili, edhe pse ashtu heshturazi, pa bujë, i ka pasur të pranishme ato kundërqëndrime, atë qëndresë intelektuale.
Në memuaristikën dhe eseistikën e Priftit hidhen penelata të thekshme për portretet e Skënder Luarasit a Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit a Kasem Trebeshinës, Sejfulla Malë shovës a Bilal Xhaferrit, e një sërë intelektualësh e shkrimtarësh të tjerë të cilët Prifti e gjen mjeshtërisht rastin t’i ketë pjesë të trajtimeve të tij, të cilët enden kujtimeve, portreteve dhe eseve të tij.
Vërehet lehtazi në shënimet e udhëtimit, kujtimet, portretet apo esetë e tij se sa fiton lloji a gjinia përtejletrare prej talentit, përvojës, stilit e të rrëfyerit mjeshtëror, duke u bërë më joshëse a tërheqëse, më letrare. Në to vërehet lehtazi eseisti-shkrimtar, biografi-shkrimtar, publicisti-shkrimtar, intekektuali-shkrimtar; siç mund të themi po ashtu se në to kemi të pranishëm shkrimtarin-eseist, shkrimtarin-biograf, shkrimtarin publicist, shkrimtarin me nivelin e duhur intelektual e kulturor. Ndodh ai zgjerim, që në studimet e sotme të diskursit letrar quhet zgjerim i përmasave të individit a vetjes biografike, që është i lidhur ngushtë me instancën e dytë që zotëron krijuesi, atë të shkrimtarit, por edhe intelektualit që arrin të prodhojë edhe përtej produktit të përftuar thjesht nga ligjësitë e fiksionit. Në këto raste, zgjerimi i përmasave të personalitetit (vetë termi vjen nga “persona” – vetja biografike), parakupton prani të shtuar të intelektualitetit, të erudicionit, të njohjes, por edhe moralitetit, etikës në vështrimin e humanes dhe përditshmërisë.
Pjesëtar i hershëm i komunitetit diskursiv të institucionit letrar në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, kontribues në atë institucion me veprën e tij letrare, ai i shton një segment të dukshëm këtij komuniteti me shkrimet e munguara, mbetur sirtareve, por tejet të vlefshme në përtejkohën që pasoi shkrimin e tyre; sepse ato konservuan një realitet të pamjegulluar nga tisi ideologjik.
Kureshtja që ngjall pjesa më e madhe e këtyre shkrimeve mund të përngjasojë me atë të historianit ndërsa përballet me një dukument të munguar të një periudhe të hershme apo të arkeologut ndaj një siti arkeologjik të zbuluar rishtaz, edhe pse nga burime të ndryshme mund të kishte dëgjuar për të.
Duke u ndjerë tejet komod në shtratin e gjerë të kategorive tekstore, si shënimet e udhëtimit a reportazhet, kujtimet, portretet a esetë, falë informacionit tejet të gjerë që zotëron e kërkon vijimisht, falë formimit të tij intelektual po ashtu në zhvillim e thellim, Naum Prifti ka arritur të bëjë të pranishme në këto shkrime një dije enciklopedike me të dhëna domethënëse nga fusha nga më të ndryshmet, njohuritë e të cilave gjen vend t’ia bashkëngjisë trajtesave të tij, me dëshirën për të informuar në mënyrë sa më të gjerë, dhe shpjeguar e arsyetuar në lidhje me dukuritë në mënyrë sa më të saktë. Dhe janë të dhëna që vijnë nga një mori fushash, si gjeografia, historia e popujve, historia e feve, historia e artit, etimologjia, antropologjia, etnologjia, folkloristika, kulinaria, urbanistika, zooteknika, botanika, gjeologjia, speleologjia, hidroteknika, etj.
Por, më së shumti, ai sjell të dhëna për përditshmërinë në atë kohë, ku ndërthuren ndjeshmëria e artistit dhe dhimbja e humanistit, që nxisin e përftojnë natyrshëm diskurse, thënie a pohime që bartnin një qëndrim ndryshe, të një fryme disidence a mospranimi, të përftuar me ngulm, edhe pse produktet e saj duheshin konservuar, për t’u konsumuar në kohë të tjera.
Do të mbeten këto shkrime dëshmi për të njohur e analizuar profile të pandriçuara sa e si duhet të institucionit letrar në gjysmën e dytë të shekullit XX e më tej, të fushës letrare, të përftuar në mjedisin kulturor shqiptar, që bartte veçantitë e kohës, të ideologjizmit, të diktatit partiak e kufizimeve që impononte metoda krijuese e realizmit socialist dhe institucionet administrative që përçonin atë frymë ideologjike dhe ndikonin për ngurtësimin e lirisë krijuese.
Është gjetje joshëse dëshmimi i atij konteksti të larmë në brendësi, pavarësisht një pamjeje disi uniforme në dukje, përmes figurave e personaliteteve që e bartnin një ngarkesë shtesë në institucionin letrar të kohës, qoftë përmes citimit a sjelljes në mendje të ndodhive domethënëse për ato profile, qoftë të sentencave diturore që ishin të pranishme në dialogimin me to, por qoftë edhe të “legjendave urbane” që përftoheshin prej qëndrimeve të tyre në raport me regjimin, institucionin letrar të kohës.
Natyra mozaikale e shkrimit të shënimeve të udhëtimit, por edhe e portreteve intelektuale a eseve për Skënder Luarasin, Lasgushin, Kutelin etj. i ka mundësuar Naum Priftit jo vetëm të nxjerrë në pah profile nga më të larmishmet të objekteve të tij të shqyrtimit, por njëherazi të ngjallë interes e të joshë gjithashtu një lexues po ashtu tejet të larmë të interesuar për atë brendi e problematikë. Siç vëren Bertrand Guest, në lidhje me këto kategori tekstore “ …natyra fragmentare e teksteve u mundëson atyre jo thjesht të mëtojnë të thonë diçka për atë tërësi të larme, të diversifikuar që ato synojnë të përshkruajnë, por edhe t’i adresohen pak nga pak kësaj bote, lektoratit, po ashtu të shfaqur në thelb përmes, një tërësie po ashtu të fragmentuar”.[8]
I vetëdijshëm për hapësirat e gjera që rrok ligjërimi në këto kategori tekstore, ku ndërthuren të rrëfyerit, të përshkruarit me aspekte të dijes enciklopedike, në disa raste edhe anekdotike, Prifti drejtohet jo pak herë edhe drejt thënieve a mesazheve që mundësojnë një informacion, përvojë a reflektim tejet të përqendruar, në formën e sentencave, maksimave a pohimeve diturore. Prania e bollshme e tyre i krijojnë një nivel elitar fragmenteve ku ato përdoren, duke i shtuar besueshmërinë parashtrimeve dhe arsyetimeve të bëra nga autori në lidhje me dukuri, sidomos të natyrës humane, sociale a kulturore. Janë pohime që vijnë herë prej përvojave popullore, por herë të tjera edhe prej filozofëve, estetëve, dijetarëve, shkrimtarëve, kulturologëve etj. Dhe mbi ato modele, jo pak herë ngjizen pohime që shfaqen si të tilla të përftuara në ligjërimin e Naum Priftit, sidomos për të karakterizuar mospajtimin a kundërshtimin në lidhje me situata sociale, politike, ideologjike a kulturore, të mjediseve shqiptare urbane a rurale, por edhe atyre që kanë të bëjnë me botën letrare, institucionin letrar a fushën letrare në Shqipërinë e gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
Është forca shprehëse dhe mesazhi që bartin e përçojnë edhe thëniet e kësaj natyre që mundëson, në jo pak raste, përvijimin e asaj “disidence të fshehtë” për të cilën flet Naum Prifti[9]; është një disidencë e pashpallur haptas, por e pranishme në ato produktet të destinuara asaj kohe të mbeten sirtarëve.
Le të përmendim kalimthi thënie a pohime të tilla, si: “Historikisht malet e kanë mbrojtur shqiptarin nga asimilimi dhe njëkohësisht e veçuan nga qytetërimi”; “Sapo koka gjeniale e udhëheqësit zbuloi se patatja qe edhe gjellë edhe bukë, livadhet e Bizës u çanë me plugje ‘Martineli’”; “Natyra është si një libër i hapur, por për ta lexuar dhe zbuluar mrekullitë e saj duhet zotëruar alfabeti”; “Dukagjini është aq i pjerrët, sa edhe kur shtrihesh, je në këmbë”; “Nuk e kuptojmë vlerën e kohës dhe s’kemi për ta kuptuar deri sa e kemi me tepricë”; “Të gjitha diktaturat gënjejnë dhe gënjehen vazhdimisht. Disa madje u besojnë edhe alkimistëve”; “U dashka të varfërohemi krejt për të fituar ndërgjegjësim më të lartë”; “Rastësia është mbret i të papriturave”; “Ç’janë udhëheqësit e partisë? Rezulton të jenë bosët e kapitalizmit shtetëror. Kapitalizmi shtetëror, për mendimin tim, është më i egër, më brutal dhe më shpirtkazmë nga kapitalizmi i botës perëndimore, se vjedh paturpësisht hakun e punëtorëve dhe gënjen vazhdimisht qytetarët e vet”; “Natyrën e shijojnë ata që dinë ta soditin si vepër arti”; “Diktaturat e çdo kohe, të djathta a të majta, përdorin të njëjtat metoda, prandaj ngjasin çuditërisht midis tyre”; “Lasgushi – ‘Ju tani e keni të lehtë, se u mëson Enveri, po mua s’kishte kush të më mësonte në atë kohë. Të gjitha i kam bërë vetë”; “Zbutjet e luftës së klasave ishin si pranvera të hershme, të cilat pasoheshin gjithmonë nga acare dimri më të hidhura”[10].
Edhe pse këto shkrime si vlerë të spikatur kanë ligjërimin elegant e tërheqës, mjeshtërinë sintaksore të organizimit të thënieve dhe kuptimësimin e rikuptimësimin që mundëson përzgjedhja e menduar e fjalëve (që në kontekstet përkatëse nxisin edhe përjetime estetike dhe polifonizëm kuptimor), vihet re në atë proces edhe kërkimi i vijueshëm i fjalëve a gjedheve që vijnë nga hapësira më të hershme kohore, apo zona më të veçanta gjeografike, që në rrëfim, në përshkrime a arsyetime shtojnë ngjyrimet ligjërimore dhe efektet që bartin prej përdorimeve të tyre në dialekte a të folme të caktuara, të tilla, si mundqar (përdorur qysh me Budin), e ndorme (veshje), i gjithfarndorshëm, harca (e malit), dorëthé (luleshtrydhe), fytyrec, teliza (të ballkonit), dograma, kukumal (gurësh), i krirtë (ujë), mikezira, lavdakotë, flatrohem, tororis, fasari (e vajtje-ardhjes), ngucakeq, anëdet (plazhi), pollogë (e grurit,) etj., etj.
Kundrimi nga një shumësi pikëvështrimesh e profilesh i krahinave, fshatrave a qyteteve, institucioneve a personaliteteve, prania e dijes enciklopedike të përshtatshme e funksionale në varësi të veçantive të temave a brendive përkatëse u ka dhënë këtyre shkrimeve garancinë për jetëgjatësi në kontakt edhe me brezat e lexuesve të sotëm e të nesërm. Dhe kur përmasat e kësaj jetëgjatësie i kapërcejnë kufijtë e një breznie, vështrimi i krijuesit atje, nga e përtejmja tashmë, duket se fiton një përkatësi tokësore, që ia mundëson prania e dëshmive tekstore, mendimeve, ideve, portreteve a qenieve tekstore që gëlojnë në ato shkrime, falë ADN-së që shkrimtari vetë ua ka transmetuar.
Prof. Dr. Shaban Sinani, Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Prof. Dr. Tomorr Plangarica, Disiplina Gjuhësore dhe Letrare, Instituti i Gjuhëve dhe Qytetërimeve të Lindjes (INALCO) Paris
[1] Shih Naum Prifti, “Midis dy kohësh, Shënime udhëtimi, Kujtime, Portrete, Ese”, Buzuku, 2005, faqe 373.
[2] Dominique Maingueneau, “Le discours littéraire, Paratopie et scène d’énonciation”, Armand Colin,
2004/2014, faqe 75.
[3] Shih Naum Prifti, vep. e cit., faqe 374-375.
[4] Naum Prifti, po aty.
[5] Naum Prifti, po aty, faqe 375.
[6] Në këtë vëllim, 18 shkrime janë shkruar kryesisht në vitet 1976-1990, dhe zënë 346 faqe në vëllim; dhe 14 shkrimet e tjera janë shkruar në vitet 1991-2004 dhe zënë 156 faqe në të.
[7] Naum Prifti, vep. e cit., faqe 373.
[8] Shih Bertrand Guest, “L’essais, forme-sens de l’écologie littéraire naissante ? Humbold, Thorean, Reclus” dans “Romantisme”, 2014/2 (N° 164),Editions Armand Colin, faqe 63 à 73.
[9] Shih Naum Prifti, vep. e cit., faqe 373
[10] Shih Naum Prifti, vep. e cit., faqe 9, 11, 19, 32, 37, 40, 64, 67, 77, 179, 374, 430, 435.