Merkel: Procesi i Berlinit është i pazëvendësueshëm, nismat tjera mund të ndihmojnë

Tiranë, 14 shtator 2021 – Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi sot (e mërkure) në Tiranë se Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet nga asnjë nismë tjetër, por proceset mund të përshpejtohen përmes nismave të tjera.

“Procesi i Berlinit është bërthama e gjithçkaje dhe në këtë kontekst ai s’mund të zëvendësohet. Gjërat mund të përshpejtohen brenda këtij procesi. Ballkani ka mësuar të bashkëpunojë dhe jo vetëm të qëndrojë me njëri-tjetri”, ka thënë zonja Merkel në Tiranë, të martën, pas takimit të përbashkët me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo ka thënë se prej inicimit të Procesit të Berlinit, në vitin 2014, shumëçka ka ndryshuar për të mirë në rajon.

“Në kuadër të bisedës me liderët e Ballkanit Perëndimor, kam pasur kënaqësinë të dëgjoj se prej idesë së vitit 2014 për inicimin e një procesi bashkëpunimi ka rezultuar një ndihmë mjaft e fuqishme. Kryetarët e qeverive takohen në mënyrë normale me njëri-tjetrin dhe i tërë bashkëpunimi është konsoliduar”, ka thënë zonja Merkel.

Por, kancelarja gjermane e ka përshëndetur edhe marrëveshjen për tregun e përbashkët rajonal, duke e cilësuar si mbështetje për Procesin e Berlinit.

“Ne kemi rënë dakord që sa më shumë vende të bashkohen në këtë proces aq më shumë do t’i ndihmojnë Procesit të Berlinit”, është shprehur ajo.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka cilësuar si moment historik Procesin e Berlinit dhe ka shtuar se nisma “Ballkani i Hapur” është rezultat i Procesit të Berlinit.

“Kur na ka ftuar Kancelarja, më 2014, ishte hera e parë në historinë e këtij rajoni, jo në historie disavjeçare, por disashekullore. Ishte hera e parë që liderët u ulën, jo për t’u vrarë, por për të folur për të ardhmen. ‘Procesi i Berlinit’ ka nevojë për kohën e vet. Mekanizmat janë të avashtë, por ama edhe ‘Ballkani i Hapur’ që sot e kemi si nismë të tri vendeve që synojnë të përfshijnë të gjashtë vendet, është rezultat i këtij procesi”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se nisma “Ballkani i Hapur” është një mekanizëm për të përshpejtuar Procesin e Berlinit. Ai ka thënë se është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë nismë për lëvizje të lirë, por beson në teori konspiracioni.

“Sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por bën teori konspiracioni për ‘Open Ballkan’”, është shprehur Rama.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka treguar se në takimin e përbashkët me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor është diskutuar edhe për projekte të rëndësishme të fushë të infrastrukturës. Ajo ka thënë se në takim është diskutuar edhe për fillimin e punimeve për ndërtimin e Autostradës Nish – Prishtinë. Kjo autostradë, e cila është pagëzuar “Audostrada e Paqes”, do të ndërtohet mefonde të Bashkimit Evropian.

Kancelarja Merkel ka thënë se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ajo kashprehur keqardhje që negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk u çelën gjatë presidencës gjermane të Bashkimit Evropian.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vazhdoi me takime dypalëshe me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

(r.m.)