“Këtë forcë e presin shumë sfida përpara në raport me anëtarësimin në NATO, bashkëpunimin me partnerin strategjik SHBA, por edhe kontributi që ajo jep gjatë gjithë vitit pranë komunitetit të Emergjencave Civile”-tha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi
Knid Ndrenika
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se Forca Ajrore e Shqipërisë do të veprojë së shpejti në një bazë taktike të NATO-s, përatësisht në Kuçovë pranë Beratit.
Ministri foli në ceremoninë e pranimit të detyrës nga Gjeneral brigade Ylli Pulaj si Komandanti i Forcës Ajrore të ushtrisë së Shqipërisë.
Gjeneral brigade Pulajt iu dorëzua flamuri luftarak i Forcës Ajrore nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Bajram Begaj.
“Këtë forcë e presin shumë sfida përpara në raport me anëtarësimin në NATO, bashkëpunimin me partnerin strategjik SHBA, por edhe kontributi që ajo jep gjatë gjithë vitit pranë komunitetit të Emergjencave Civile”-tha ministri.
Zoti Peleshi e cilësoi këtë si çast të merituar për gjeneral brigade Pulajn, i dekretuar nga presidenti me propozim të ministrit të Mbrojtjes.
Ministri tha se ishte i bindur që gjeneral brigade Pulaj me këtë promovim do të punojë edhe më shumë edhe më mirë, do të jetë edhe më pranë problemeve edhe do t’i përballojë me sukses disa sfida që janë përpara.
“Duhet të kujtojmë që pas pak ditësh fillojmë punimet zyrtarisht në bazën ajrore të Kuçovës. Forca jonë Ajrore tashmë do të operojë në një bazë taktike të rëndësishme të aleancës së NATO-s”-tha ai.
Pas pothuajse një viti Shqipëria do të presë helikopterët Black Haëk, të cilët do të jenë të parët, por jo të fundit në flotën e saj ajrore në porcesin e modernizimit dhe me sfidën e vështirë të rritjes së gatishmërisë.
“Do ta pasurojmë, do ta modernizojmë, do të rrisim kapacitet e brendshme për mirëmbajtjen dhe gatishmërinë, por natyrisht do të konsolidojmë dhe një marrëdhënie të re tashmë të konkretizuar me NATO-n, me Agjencinë e Prokurimit të NATO-s, falë së cilës siç edhe e provuam, kemi një përgjigje shumë të shpejtë në mirëmbajtjen, në riparimin, në shërbimin e flotës sonë ajrore”, – tha ministri Peleshi.