Nga Elez Biberaj
Të nderuar miq dhe kolegë,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj, se pas një karriere 43 vjeçare me Zërin e Amerikës, kam vendosur të dalë në pension më 31 dhjetor 2023. Ka qënë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës time që kam patur fatin të punoj për një organizatë kaq të jashtëzakonshme mediatike. Do t’i jem përherë mirënjohës Zërit të Amerikës për mundësitë që më ka krijuar.
Misioni i Zërit të Amerikës dhe ruajtja e standarteve më të larta të gazetarisë kanë qënë në qendër të rrugëtimit tim profesional. Gjatë gjithë karrierës sime që shtrihet në mbi katër dekada, gjatë gjashtë administratave presidenciale dhe me mbi dhjetë drejtorë të Zërit të Amerikës, kam bërë përpjekjet maksimale për të mbajtur lart vlerat që e kanë bërë Zërin e Amerikës një nga organizatat mediatike më të njohura dhe të besueshme në botë. Unë kam patur privilegjin të punoj në role të ndryshme, nga gazetar radioje në Shërbimin Shqip (1980-1982), Analist për Çështjet Sovjetike dhe të Europës Lindore në Drejtorinë e Shtypit të USIA (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Informacionin) (1982-1986), Shef i Shërbimit Shqip (1986-2004), Kryeredaktor i Drejtorisë së Euroazisë (2004-2005), dhe së fundmi, që nga viti 2005, Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë. Kam shërbyer gjithashtu si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës gjatë përiudhës qershor-dhjetor 2020.
Nuk mund të kisha shpresuar për një karrierë më shpërblyese nga ana intelektuale dhe profesionale. Zëri i Amerikës më krjoi mundësinë të ndjek nga afër disa nga ngjarjet më gjurmëlënëse botërore, që nga Lufta e Ftohtë, përmbysja e komunizmit dhe lindja e demokracisë në ish Bashkimin Sovjetik dhe Europën Lindore, luftrat ballkanike, integrimin e vendeve të Europës Lindore në institucionet Euro-Atlantike, kthimin e Rusisë në një sistem autoritar dhe së fundmi, agresionin e saj mizor ndaj Ukrainës. Ndihem krenar dhe i privilegjuar që kam punuar krahas shumë kolegëve të nderuar në përmbushjen e misionit fisnik të Zërit të Amerikës, transmetimin e lajmit dhe informacionit të vërtetë dhe objektiv për audiencën globale, përhapjen e vlerave demokratike dhe rrëfimin e historisë së pashembullt të Amerikës. Ndihem tejet krenar për arritjet tona të jashtëzakonshme.
Zhvillimet e fundit në botë, përhapja e dezinformimit dhe keqinformimit, cënimi i lirisë së shtypit, përparimi i shpejtë i teknologjisë, përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i inteligjencës artificiale, e kanë ndryshuar rrënjësisht peizazhin botëror të gazetarisë. Zëri i Amerikës vepron sot në një botë krejt të ndryshme, por misioni i përhapjes së lirisë dhe demokracisë, dhe fuqizimi i audiencës me lajme dhe informacione të vërteta, objektive dhe të balancuara, nuk ka qënë kurrë më jetik.
Me mirënjohje të thellë dua të falenderoj ekipin e përkushtuar e të palodhur në përmbushjen e misioit të Drejtorisë së Euroazisë. Drejtimi i një grupi të tillë të talentuar gazetarësh ka qënë një kënaqësi e veçantë. Po ashtu u jam mirënjohës miqve dhe kolegëve në sektorët e tjerë të Zërit të Amerikës për përkrahjen e palëkundur.
Falenderime të përzemërta kolegëve në postet e larta drejtuese dhe në të gjithë organizatën, të cilët punuan ngushtë me mua gjatë periudhës gjashtë-mujore kur shërbeva si Drejtor i Përkohshëm i Zërit të Amerikës në vitin 2020. Ishte një nder i veçantë të qënit në krye të Zërit të Amerikës gjatë një prej periudhave më të trazuara në historinë e tij. Ndihem shumë krenar, që përballë sulmeve të pandërprera dhe frontale ndaj integritetit të Zërit të Amerikës, ne arritëm të drejtonim me sukses në një labirinth jashtëzakonisht sfidues dhe të mbronim me forcë pavarësinë tone editoriale.
Më duhet ta pranoj, se edhe pas 43 vitesh të mrekullueshme, nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë Zërit të Amerikës. Por unë largohem me krenari të thellë dhe mirënjohje të pakufishme për punën e madhe që kemi bërë dhe jam i sigurtë, që ju do të vazhdoni të bëni. Zëri i Amerikës është bërë sot një organizatë mediatike shumë e efektshme dhe e shkathët, duke prodhuar gazetari të cilësisë së lartë. Shtrirja dhe ndikimi i Zërit të Amerikës nuk kanë qënë kurrë më të mëdha se sot. Dhe përsa kohë që të mbetet i angazhuar ndaj vlerës së tij themelore të nxitjes së lirisë e demokracisë dhe prodhimit të gazetarisë së pavarur të bazuar në fakte, Zëri i Amerikës do të vazhdojë të jetë burim shprese dhe një fener ndriçues i së vërtetës për miliona njerëz në mbarë botën.
Me respekt të thellë,
Dr. Elez Biberaj
Drejtor
Drejtoria e Euroazisë
Zëri i Amerikës