Mesazhe kërcënuese në veri të Kosovës: Thirrje Vuçiqit “Komandant suprem, po të presim”

Prishtinë, 30 qershor 2024 – Natën mes të shtunës e të dielës, në komunat veriore të Kosovës, nga persona tash për tash të paidentifikuar, janë përcjellë mesazhe kërcënuese për integritetin territorial të Kosovës.

Në mure të ndërtesave publike janë vendosur pllakata me një fotografi të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga një vizitë një njësie të forcave të armatosura të Serbisë, me mbishkrimin “Komandant suprem, po të presim”, në gjuhën serbe, me alfabetin cirilik.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se autoritetet kanë hapur rast për veprën penale “nxitje të urrejtjes”.

“Në disa lokacione në katër komunat në veri të vendit janë shpërndarë pamflete me fotografinë e kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit është hapur rasti për nxitje të urrejtjes”, ka thënë ai.

Elshani ka thënë se deri më tash nuk ka persona të dyshuar për vendosjen e këtyre mesazheve.

This image has an empty alt attribute; its file name is Pamflete-me-mesazhe-kercenuese-ne-pjesen-veriore-te-Kosoves-1.jpg

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka trajtuar këtë rast si kërcënim për sigurinë në Kosovë. Ai ka paralajmëruar se se Vuçiqi do të burgoset, nëse hyn në Kosovë pa marrë leje nga institucionet shtetërore.

“Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka ashkruar Sveçla në Facebook.

Autoritetet e sigurisë thonë se situate në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, është e qetë, por ende e brishtë.

Situata në këto komuna ishte tensionuar pas hyrjes së kryetarëve legjitimë të komunave në zyrat e tyre dhe, sidomos, pas sulmit terrorist të një grupi serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Autoritetet e Kosovës kërkojnë që Beogradi t’i dorëzojë udhëheqësin e grupit, Milan Radojçiq dhe pjesëtarët tjerë të grupit, të cilët gjendern në Serbi. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e shtruar këtë kërkesë si njërin prej tri kushteve për t’u takuar me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadrin e dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

(r.m.)