Mesazhe kërcënuese për disa deputetë të BDI-së në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 27 korrik 2024 – Disa deputetë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut kanë pranuar mesazhe kërcënuese anonime përmes postës elektronike. Mësohet se kërcënimet janë bërë me datë 23 korrik.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e ka dënuar ashpër këtë akt. Në një deklaratë për publikun, ai ka theksuar se institucionet shtetërore janë të afta të përballen me çfarëdo kërcënimi, përpjekjeje për dhunë apo për nxitje të dhunës.

“Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe liria e fjalës është e pacenueshme. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në rrjetet sociale mund t’i japë kërcënuesit një ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta”, thekson zoti Gashi.

Autoritetet policore kanë konfirmuar njoftimin për kërcënimin ndaj ligjvënësve të BDI-së, por nuk kanë dhënë hollësi. Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se Njësia për Kriminalitet Ekonomik dhe Kibernetik është njoftuar me rastin dhe se po merren masa për zbardhjen e tij.

BDI-ja i ka quajtur kërcënimet ndaj deputetëve të saj si sulm të drejtpërdrejtë ndaj vlerave demokratike dhe institucioneve në vend.

“Këto incidente dëshmojnë nivelin e larë të mosdurimit dhe urrejtjes që po përhapet në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e saj.

BDI e akuzon qeverinë e re të Maqedonisë Veriore se kundër saj po bën një “fushatë e paramenduar”. Ajo e sheh këtë si përpjekje të ekzekutivit të ri “për fshehjen e gabimeve” të veta.

“Me akuza të imagjinuara dhe veprime të dhunshme ato po përpiqen ta shpërqendrojnë vëmendjen e opinionit publik nga problemet reale dhe rezultatet katastrofike të politikave qeveritare”, thuhet në deklaratën e BDI-së.

(r.m.)