Tiranë, 24 dhjetor 2022 – Pak orë para meshës së Krishtlindjes, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot Angelo Massafra, mesazhin e tij të përvitshëm ia kushtoi paqes. Ai tha se lufta në Ukrainë ka shkaktuar plagë të thella në Evropë.
“Mesazhi tradicional i Krishtlindjes që zakonisht dërgoj para solemnitetit të Krishtlindjes nuk mund të ketë tjetër temë përveçse atë të paqes, në fund të një viti të shënuar nga lufta e trishtuar, që është duke prishur fytyrën e bukur të Europës sonë me plagë të thella”, tha imzot Massafra.
Ai tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka gofitur më shumë shtresat e varfra, sidomos ato në vendet e Evropës Lindore, përfshirë Shqipërinë.
“Ndërsa fuqitë botërore janë duke u përpjekur që t’i vlerësojnë pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe të kërkojnë mënyra konkrete për zgjidhjen e konfliktit, ekonomia botërore po vuan efektet e saj me varfërimin e mëtejshëm të shtresave më të varfra; në mënyrë të veçantë e ndjejnë vendet e Europës Lindore, përfshi edhe Shqipërinë”, tha Massafra.
“A nuk është shkaku i luftës dhe i vrasjeve mbjellja dhe shitja e drogës, mosrespektimi i të drejtave të njeriut, i të drejtave të punëtorëve, i të drejtave të sëmurëve pa kërkuar dhe pa pretenduar ryshfet, i të mirës së përbashkët, i shtëpisë tonë të përbashkët? Këto janë disa nga fushat ku secili prej nesh mund të sjellë paqe”, shtoi ai.
Massafra bëri thirrje që të gjithë të angazhohen personalisht për paqe, zhvillim e mirëqenie.
“I bëj thirrje zemrës dhe vullnetit të mirë të të gjithëve për të bërë paqe. Vetë Hyji na e kërkon atë në Birin e tij të lumë që është Princi i Paqes! Te dashur të angazhohemi personalisht për të ndërtuar një kulturë paqeje për të cilën punojmë dhe jetojmë. Prandaj i uroj paqe çdo njeriu, nga politikani deri te qytetari më i fundit; uroj që familjet të jenë vatra paqeje dhe jo lufte; uroj që të vegjlit, të mëdhenjtë, të varfrit, të sëmurët dhe të moshuarit të paqtohen me dobësinë e tyre; uroj që të pasurit dhe më të fortët t’i vënë energjitë e tyre më të mira në shërbim të paqes; uroj që profesionistët e çdo fushe të investojnë në projekte që sjellin paqe; uroj që të burgosurit t’i shohin frytet e paqes së tyre të brendshme gjatë angazhimit të tyre për rehabilitim”, theksoi imzot Angelo Massafra.
(r.m.)