Nga Ruben Avxhiu
Presidenti i sotëm, Joe Biden, ishte një nga senatorët kryesorë demokratë kur paraqiti , në tetorin e vitit 1992, një amendament që kërkonte përjashtimin e Bosnjes nga embargoja e armëve e vendosur kundër Jugosllavisë. Kjo embargo faktikisht po dëmtonte vetëm boshnjakët. Serbët dhe Ushtria Jugosllave ishin të armatosur deri në dhëmbë. Ishin boshnjakët e shumë më tepër shqiptarët në Kosovë, ata që nuk kishin armë për të mbrojtur veten. Lufta në Bosnje ishte mes një agresori të armatosur mirë dhe një viktime që rezistonte me mjete të pakta.
Biden mbështetej nga senatorë republikanë si Bob Dole dhe Alphonse D’Amato.
Mirëpo, argumenti i Administratës Bush i paraqitur nga NënSekretari i Jashtëm i asaj kohe Laërence Eagleburger, ishte se po të armatoseshin boshnjakët, lufta vetëm sa do të zgjatej dhe gjakderdhja do të ishte më e madhe.
Është po ai argument që përdoret sot kundër ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Janë argumente që duan të ruajnë paqen duke detyruar popujt e sulmuar t’u nënshtrohen agresorëve e pushtuesve. Nisen nga mendimi naiv se agresorët do të qetësohen nëse u jep tokat që duan të pushtojnë. Në fakt, historia vazhdimisht tregon se kjo vetëm sa ua rrit grykësinë dhe ambicjen shovinistëve.
Amendamenti dështoi. Mirëpo lufta nuk pushoi. Në fakt, ajo vazhdoi e pandalur deri në vitin 1995. Në verën e vitit 1995 ndodhi masakra e Srebrenicës, më e madhja në vazhdën e masakrave dhe përdhunimeve masive të vajzave e grave boshnjake.
Vetëm në pjesën e dytë të vitit 1995, kur Kroacia e armatosur hyri në luftë dhe u bashkua me boshnjakët, kur SHBA filloi të mos e pengonte më trafikun e paligjshëm të armëve, kur armët gjermane filluan të depërtojnë në Kroaci dhe forcat kroato-boshnjake filluan t’i shpartallojnë serbët me ndihmën e goditjeve ajrore nga NATO, u shfaq më në fund mundësia e paqes. Dhe ndodhi Marrëveshja e Dejtonit.
Në 2008, Putini grabiti dy krahina të Gjerogjisë dhe i shpalli gjoja shtete: Osetinë Jugore dhe Abkhazinë. Pas disa protestave, Perëndimi e mbylli gojën duke besuar premtimin e Kremlinit se këto ishin një rast shumë i veçantë që nuk do të përsëritej. Pastaj erdhi Krimeja, vota në Dumën Ruse se pavarësia e vendeve balltike nuk është legjitime, lufta për shkëputjen e dy krahinave të tjera në Ukrainë në 2014. Edhe në shkurt 2022, Putini e Lavrovi premtuan disa herë se nuk do të kishte ndërhyrje të trupave në Ukrainë, pavarësisht prej propagandës anti-ruse që vinte nga SHBA-ja. Është një vijë e drejtë mes sjelljes së Millosheviqit dhe Putinit. Vjen natyrshëm në kokën e diktatorëve që shkëputen nga realiteti dhe shohin mbijetesën e tyre politike në konfliktet e përhershme, në narrativat e legjendat mesjetare, e në paaftësinë për t’iu përshtatur botës moderne.
Këta diktatorë, ashtu si Hitlerin e Stalinin dikur, nuk i kënaq dot, sado lëshime që t’u bësh. Botëkuptimi i tyre ka nevojë për konfliktin e vazhdueshëm. Paranoja është e pashmangshme sado që të jenë të sigurtë politikisht në vendet e tyre, sado të jetë e shkatërruar opozita. Sot, shumë rusë kujtojnë politikanin Boris Nemtsov, i cili u vra nga putinistët, ndonëse partia e tij nuk kishte as 2% mbështetje në zgjedhje. Nuk ka rëndësi sa i fuqishëm është diktatori. Pasiguria dhe paranoja janë pjesë e pandashme e mentalitetit të tij. Jo më kot, historia ka treguar se kur mbarojnë kundërshtarët, diktatura fillon dhe ha kokat e bijve të saj. Stalini e nisi duke masakruar opozitën dhe e mbylli duke vrarë shokët e tij më besnikë.
Çdo vit, në Mynih të Gjermanisë mbahet një konferencë ndërkombëtare për sigurinë në Europë. Vendi është caktuar sepse në atë qytet në vitin 1938, kryeministri britanik Nelson Chamberlain dhe diktatori gjerman Adolf Hitler nënshkruan një marrëveshje sipas të cilës, Gjermania lejohej t’ia shkëpuste Çekosllovakisë dhe të aneksonte krahinën Sudetenland.
Megjithëse, Hitleri kishte shkelur një numër vendimesh të Konferencës së Parisit, të Lokarnos, dhe të Lidhjes së Kombeve, megjithëse Italia kishte pushtuar Etiopinë dhe Austria ishte zhdukur nga harta e Europës, e aneksuar nga “bashkimi” me Gjermaninë, demokracitë perëndimore mendonin se mund ta kënaqnin e qetësonin Hitlerin duke e lejuar aneksimin e radhës. Hitleri kishte premtuar se do të ishte rast i veçantë dhe i vetëm. Pak muaj më vonë, ai pushtoi krahinën e Bohemisë, Moravia, dhe Pragën. Në 1 tetor 1939, filloi pushtimin e Polonisë e më në fund Britania e Franca u detyruan të reagojnë dhe të shpallin luftë.
Ideja se mund ta shmangësh luftën duke lënë vende të tjera të digjen nga flakët e agresionit është naive, sidomos në kohën tonë kur teknologjia e ka zvogëluar globin e çdo konflikt ka potencialin të çorodisë ekonominë dhe jetën në shumë vende larg konfliktit.
Nuk ka paqe nëse nuk mposhtet agresori.
Millosheviqi që u trajtua si njëri i paqes në 1995, nisi në Kosovë luftën e tij të katërt në një dekadë. Dhe vetëm ndërhyrja ushtarake e NATO-s në 1999 i dha fund luftrave të nisura nga Serbia në rajon. Është një mësim që apologjistët e Rusisë dhe ata që urrejnë Ukrainën mund ta injorojnë sa herë të duan, por nuk do ta ndryshojë realitetin.
Tragjedia e Bosnjes, shpëtoi Kosovën. Në 1999, argumentet justifikuese të Millosheviqit ishin ezauruar. Në një farë mënyre, Dayton-i kishte qenë Mynihu i tij. Apologjistët e Millosheviqit në Perëndim, madje edhe në Rusi nuk kishin shumë çfarë të thonin. Ata që ia falën Putinit agresionin në Gjeorgji nuk mund të heshtnin në Ukrainë. Rezistenca në Ukrainë ka shpëtuar një tjetër vend nga konflikti i sigurtë. Nga një anë ishim me fat që lufta në Kosovë u vonua deri sa u gris përfundimisht maska e Millosheviqit.
E përsëri pati plot nga ata që fajësuan NATO e jo Serbinë për luftën në Kosovë. Ato teza të turpshme antihistorike që u përdorën në atë kohë janë ringjallur sot me furi nga propaganda ruse e antiperëndimore për të justifikuar pushtimin e Ukrainës. Sot, kur dëshmitarët e krimeve kundër njerëzimit të viteve 1990-a janë ende gjallë. Imagjinoni se çfarë do të ndodhë dekada më vonë, kur njerëzit do të bazohen vetëm në libra, dëshmi, e dokumentarë. Duhet ta mbrojmë historinë tonë, të vërtetën e asaj që ka ndodhur. Edhe sikur asnjë pikë emocioni të mos kemi për Ukrainën, e drejta e shqiptarëve për të ekzistuar në Kosovë është ende në pikëpyetje në vizionin e forcave antidemokratike e antiperëndimore në botë. Nuk e kemi luksin të mos marrim anë.