Zagreb, 22 shtator 2021 – Stjepan Mesiq, ish-president i Kroacisë, ka thënë se Serbia nuk ka hequr ende dorë nga synimi për Serbinë e Madhe.
“Duket qartë se ikush nuk mund të çlirohet nga synimet për krijimin e një shteti të madh”, ka thënë Mesiq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar përpjekjet e Serbisë për destabilizim të gjendjes në Mal të Zi, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.
Ai ka theksuar se në Beograd është ende e gjallë ideja për zgjerimin territorial të Serbisë.
“Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta qytetare, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata (serbët) përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij”, ka thënë Mesiq.
Por, ai ka theksuar se Serbia është në lajthitje, sepse në Ballkan nuk do të ketë më ndryshimkufijsh.
“Nëse nuk kanë qenë të mundura ndryshimet e kufijve në rajonin tonë me 100.000 viktima, me aq shumë armë dhe ushtri, çfarë budallai duhet të jetë ai që mendon se kjo mund të ndodhë tani? E gjithë bota, e mbi të gjitha Evropa, është kundër çdo ndryshimi të kufijve që ekzistojnë sot”, ka theksuar Mesiq.
Sipas tij, mendësia politike në Serbi nuk ka ndryshuar fare prej asaj të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, e cila çoi në shkatërrimin e federatës jugosllave dhe në gjakderdhje të mëdha. Por, tani është një realitet i ri, i cili vazhdon të mos pranohet nga Beogradi.
Mesiq ka thënë se Serbia vazhdon të mos e pranojë realitetin e ri as në raport me Kosovën.
“Askush në Serbi nuk guxon të thotë se Kosova është çështje teknike për Serbinë. Serbia, as nuk mund ta pushtojë Kosovën me ushtrinë e saj, as nuk mund t’ia imponojë Kosovës zgjidhjet e saj. Deklaratat se ajo është ‘zemra e Serbisë’ ose ‘shpirti i saj’ mund të ringjallin disa kujtime, por gjërat duhet shikuar në kontekstin aktual”, është shprehur Mesiq.
Ai ka theksuar se është iluzore të mendohet se Serbia mund ta rikthejë Kosovën, prandaj ajo duhet ta pranojë realitetin e ri.
“Nuk ka më mundësi të ndryshohet diçka në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Kosova është njohur në masë të madhe. Të tjerët, ata që nuk e kanë pranuar, do ta bëjnë këtë. Ky proces shkon rrjedhës së vet. Do të ishte mirë sikur në Serbi të kishte më shumë informacione rreth çështjes, që shoqëria ta kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti i ri. Dhe, ky realitet është pavarësia e Malit të Zi, pavarësia e republikave tjera të pavarura që janë krijuar pas rënies së Jugosllavisë. Por, ky realitet është edhe ekzistenca e Kosovës”, ka thënë Mesiq.
Ai ka thënë se, tash për tash, është joreale të pritet që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës, por mund të bëjë një hap përpara së paku në lëvizjen e lirë me Kosovën.
“Nëse Serbia, për arsye të brendshme, nuk mund ta njohë Kosovën, ajo mund të bëjë diçka tjetër. Mund të lejojë lëvizje të lirë në kufirin me Kosovën, të lejojë lëvizjen e lirë të njërëzve e të mallrave dhe të rritet bashkëpunimi ekonomikmidis dy vendeve”, është shprehur ai.
“Atëherë edhe zgjidhjet do të jenë më të lehta”, ka theksuar ish-Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiq.
(r.m.)