Nga Keze Kozeta Zylo
Me shqetësim dhe dhimbje gjer në eshtër e mora lajmin e ndryshimit të emërtimit nga “Mësonjëtore e Parë Shqipe” në Korçë në “Muzeumin e Arsimit” në Korçë. Padyshim si mësuese me një pervojë të jashtëzakonshme midis dy kontinenteve kam ndjesinë dhe më duhet ta mbrojë me kanun emrin e shenjtë gati si Zoti: “Mësonjëtore”. Fjala aq e dashur “Mësonjëtore” në shpirtin tim dhe të gjithë nxënësve të Shkollës Shqipe “Alba Life” për gati 14 vjet që iu kemi mësuar këtë datë historike, përmbledh 36 gërmat e zjarrta të Alfabetit Shqip, fjalë që na identifikon dashurinë e pakufishme për Gjuhën dhe luftën që bënë Rilindasit tanë kundër armiqve barbarë të Gjuhës Shqipe.
7 Marsi është Dita Kombëtare e Mësuesit dhe është në nderim të Mësonjëtores së Parë të Korcës dhe jo të emërtimit tinëzisht nga qeveritarët të pagëzuar nga otomanët turq, duke e kthyer ne një Muze krejt të thjeshtë të Korçës lule të Naim Frashërit.
Emërtimi “Mësonjëtore e parë shqipe” të pranuar aq paqësisht dhe me krenari nga
10 000 000 shqiptarë tashmë të ndryshuar nga pushtetarët e paskrupullt është një fyerje e rëndë që i bëhet mbarë atdhetarëve si brenda dy shteteve të Shqipërisë dhe Kosovës, po aq dhe nëpër vende të ndryshme të botës, atje ku na hodhën fatet të larguar si rezultat i dhunuesve të tokës arbërore ku na ra koka për herë të parë.
Jam e sigurtë se Martirët e Arsimit Kombëtar si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Gjerasim Qiriazi, Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi, Koto Hoxhi, Papa Kristo Negovani, Ilia Dilo Sheperi, Shtjefen Gjeçovi, Sami Mezhgorani etj që derdhën djersën dhe gjakun lumë, të helmuar nga kuçedra serbe, patrikana greke dhe e Turqisë do jenë rrotulluar tek varri për këtë dhunim të emrit më të bukur dhe më të shenjtë të Gjuhës Shqipe: MËSONJËTORE!
Të guxosh dhe të ndryshosh këtë emër mbarë kombëtar dhe ta lokalizosh vetëm me një Muze ne qytetin e Korçës, duke e quajtur: Muzeu i Arsimit në Korçë”, do të thotë as më pak dhe as më shumë se je një varrmihës i historisë duke i bërë gropën historisë së Arsimit në mes të sheshit, krejt pa frikë.
I bëj pyetje vehtes se si është e mundur të arrijë politika gjer në dhunim të vlerave kombëtare? Si nuk mbahet asnjë qëndrim, por të lejohet kaq paqësisht nga populli aq arsimdashës, ndonëse mjerisht këto 30 vjet analfabetet po notojnë në pellgjet e ndenjura dhe të ndotura të politikes rrënuese?
Gjuha Shqipe është ndër gjuhët më të vjetra në botë, por dhe më e dhunuara barbarisht dhe egërsisht.
Kur u hap Shkolla e parë Shqipe në Korçë gjatë sundimit më gjakatar dhe më anadollak turk, në vitin 1887 shifrat sipas historianëve të tmerrojne se në Shqipëri kishte 1200 shkolla publike turke të ndërtuara forcërisht nga perandoria turke, 1200 shkolla private greke, 300 shkolla serbe, bullgare dhe vllahe. Me një fjalë egzistonte vetëm ajo Mësonjëtore e parë Shqipe që ka historinë e gjaktë të popullit shqiptar, ka historinë e ndritur të Rilindasve që shkruajtën me pendën e artë ABC-në. Edhe simbolin e shkronjave të ABC-së e paskan deformuar dhe shkruar në formë tjetër, se ç’pata një ndjesi që kishin formë turke, serbe dhe greke… C’patën me ABC-në e famshme të motrave Qiriazi, të Rilindasve të shquar, të dishepujve, të gjyshërve tanë që e shkruanin tekstualisht siç ishte në atë forme simbol në Korçë, ku sa herë shkonim pranë këtij qyteti të serenatave dhe po aq atdhetar e pamundur mos të bënim foto dhe të preknim pendën e artë të Rilindasve tanë.
Mos të harrojme se të gjitha këto shkolla greke, bullgare, turke, serbe, vazhduan dhe qëndruan pa u prekur, ndërsa shkolla shqipe me drejtor Pandeli Sotirin u dhunua, u vra barbarisht…
Pse u ndryshua emri Mësonjëtore e parë Shqipe që i përket gjithë Kombit dhe u vu Muzeu i Arsimit në Korçë duke e minimizuar dhe sfumuar historinë kaq pabesisht? Otomanët e politikës që luajnë vallen ne “mejdan” me çitjanet e turkut dhe palikarin e greqisë, duhet t’i vënë gishtin kokës dhe të vendosin sa me parë nderin në vend të emrit “Mësonjëtore”. Ndryshimi me dhunë i emrit Mësonjëtore duhet të mbrohet nga të gjithë shqiptarët atdhetarë, sepse aty është historia jonë e ndritur, që tinëzisht duan ta fshehin me ndryshim emri. Mësonjëtorja duhet të mbrohet, ashtu siç u mbrojtën shkronjat e arta të Alfabetit shqip shkruar nga motrat Qiriazi si: Sot është dita shqipëtare/ Të përpiqmi/ Alfabetin tonë ta mbrojmë/ Shpejt o burrani/ Shkronjat tona janë të arta/ Këto duamë…
Unë nuk jam anëtare e asnjë partie, ngase partia ime është GJUHA SHQIPE. Historinë e vërtetë dhe Gjuhën Shqipe do ta mbroj gjer në frymën e fundit të jetës edhe pse të shtohen armiqtë, ngase e vërteta kur thonë amerikanët dhëmb, kurse heshtja vret. “The truth hurts, but silence kills”…
Unë zgjodha mosheshtjen ndaj së vërtetës se Mësonjëtorja e parë e Korçës është pasuri kombëtare dhe jo lokale.
17 Mars, 2021
New York