Tiranë, 25 tetor 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpërndaj krimeve të rënda të ditëve të fundit, vrasjes së biznesmenit Backa në qendër të Fierit dhe grabitjes e torturimit të biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Meta ka thënë se këto akte të rënda kriminale përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë dhe zhvillimin ekonomi e social të vendit.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve ligjzbatuese që të marrin masa efektive për të parandaluar ngjarje të tilla kriminale.
“Dënoj me forcë aktet tepër të rënda kriminale të ditëve të fundit, vrasjen e biznesmenit Backa në qendër të Fierit, si dhe grabitjen dhe torturimin e biznesmenit Çangu në Nikël të Krujës.
Këto ngjarje, që kanë tronditur thellë opinionin publik, përbëjnë një kërcënim serioz për rendin, sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, por edhe për zhvillimet ekonomike dhe sociale të vendit.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit, Prokurorisë, Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe të gjithë institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend, të forcojnë bashkëpunimin për arrestimin e menjëhershëm të autorëve me rrezikshmëri të lartë dhe vënien e tyre para drejtësisë, por edhe për të marrë të gjitha masat efektive për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda dhe tronditëse kriminale”, thuhet në deklaratën e Presidentit Meta të shpërndarë nëpërmjet rrjetit social Facebook.
(r.m.)