Presidenti Ilir Meta thotë se renditja e Shqipërisë si vendi me vdekshmëri më të lartë në Europë nga COVID-19 sipas FMN, është një fakt alarmant, që duhet të merret shumë seriozisht, për më tepër që vendi ynë është ende me moshë mesatare më të re të popullatës krahasuar me vendet e tjera të BE.
Kreu i Shtetit i bën thirrje Komitetit Teknik të ekspertëve dhe autoriteteve të analizojnë me përgjegjësi këto të dhëna, si të rishihen me përgjegjësi të gjitha protokollet, masat për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë, në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese me qytetarët.
Sipas Metës, duhen zbuluar dhe eliminuar pikat e dobëta dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar këtë shkallë të lartë të humbjeve të jetëve.
“Jemi ende në valën e pandemisë dhe ndërhyrjet përmirësuese dhe korrigjuese të masave antiCovid duhet të ndërmerren sa më parë” përfundon Meta.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit, zbulon se Shqipëria ka rritjen më të lartë të vdekjeve në Europë, në raport me mesataren e vdekjeve në periudhën 2015-2019.
Sipas grafikut të FMN, në 2020-n vdekjet shtesë në vendin tonë ishin mbi 20% më të larta së mesatarja e pesë viteve të fundit, duke u renditur vendi i parë në Europë.
Numrin e lartë të vdekjeve gjatë pandemisë në Shqipëri e ka konfirmuar edhe raporti i Komisionit Europian. Sipas KE-së vdekjet shtesë në Shqipëri gjatë vitit 2020 ishin 27% më të larta se vdekjet mesatare vjetore në periudhën 2016-2019.OraNews