Meta: COVID-19 nxiti abuzime pushteti nga autokratët dhe regjimet e tyre

Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti Konferencën Ndërkombëtare “Rrugë të reja për t’u përkujdesur – Bota pas Pandemisë së COVID-19, multilaterizmi për një të ardhme më të mirë”, që po zhvillohet në Romë, e organizuar nga Këshilli i Korporatës Europiane për Afrikën dhe Lindjen e Mesme.

Meta tha se pandemia e Covid krijoi një kërcënim të madh për botën, asi ajo me të cilën u përball njerizimi i zuri të gjithë në befasi, duke sfiduar në njëfarë mënyre frymën e solidaritetit midis kombeve.

Me këtë pandemi njerëzimi pagoi një çmim të hidhur  u shpreh presidenti Meta, duke shtuar se ekonomitë ngadalësuan ritmin dhe shumë njerëz humbën vendet e punës.

Më tej theksoi se duhet të krijohet një mekanizëm i përbashkët i parandalimit dhe kontrollit të epidemive globale.

 

Në aktivitetin ku merrnin pjesë Presidentë dhe autoritete të larta shtetërore, personalitete të politikës dhe shëndetësisë botërore, kreu i Shtetit shqiptar u shpreh:

 

“Shkëlqesitë tuaja, zotërinj Presidentë,

Të nderuar personalitete të shquara, të pranishëm! Dëshiroj të falënderoj për ftesën organizatorët e kësaj konference shumë të rëndësishme! Pandemia e koronavirusit krijoi dhe paraqiti një kërcënim të madh për botën dhe për të gjithë ne këtu.

Ajo që ndodhi dhe po ndodh është e paparë në më shumë se një qind vjet! Na zuri të gjithëve në befasi! Pandemia vuri në pikëpyetje efikasitetin dhe kapacitetet e shteteve për të parandaluar dhe për ta kontrolluar këtë virus të rrezikshëm. Ajo sfidoi dhe vuri në provë frymën e solidaritetit midis kombeve, aleancat strategjike, si dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.Dhe për më tepër, asaj ende nuk po i shihet fundi! Njerëzimi pagoi një çmim të hidhur. Miliona njerëz humbën jetën dhe shumë të tjerë u lënduan, duke humbur aftësitë e tyre. Ndërsa ekonomitë ngadalësuan ritmin dhe njerëzit humbën vendet e tyre të punës si dhe të ardhurat.

Kjo ishte një garë me kohën, që ushtroi shumë trysni mbi kombet tona, si dhe mbi aleancat tona strategjike, gjithashtu! Ndërkohë ajo u shndërrua në një garë vaksinash! Dhe jo vetëm aq! Ishte një garë midis fuqive të mëdha, kryesisht atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë dhe Bashkimit Europian me ende të tjera si Rusia dhe Kina.

Aleanca Perëndimore u pozicionua dhe ishte në krye të prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave. Por vendet e saj nuk ishin të vetmit. Rusia dhe Kina prodhuan dhe eksportuan në mënyrë proaktive vaksinat e tyre te vendet, që kishin në nevojë urgjente dhe që ndodheshin nën presion për të mbrojtur popujt e tyre! Kjo u bë pa një certifikim paraprak nga institucionet e akredituara ndërkombëtare.

Është e qartë se ishte një lëvizje, e cila synonte krijimin e avantazheve gjeostrategjike! Mekanizmi i COVAX-it u krijua si një instrument për të siguruar një shpërndarje të ekuilibruar të vaksinave të vlefshme në vendet në nevojë (të pasura dhe të varfra njëkohësisht).

Por ne e dimë tashmë se COVAX-i synonte ngadalësimin e përpjekjes për të siguruar një furnizim të mjaftueshëm me vaksina të të gjitha vendeve në shkallë globale.

Kjo është arsyeja pse në ditët e sotme ekziston një hendek i madh midis kombeve (të pasura dhe të varfra) në lidhje me mbulimin e popullsisë së tyre me vaksina. Kjo është edhe arsyeja pse me shumë gjasa, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pandemia do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kishte shumë të drejtë kur tha se pandemitë do të përfundojnë, vetëm atëhere kur ne të vendosim t’u japim fund atyre.

Të gjithë e dimë se mungesa e një protokolli të unifikuar standard për kontrollin e pandemisë dhe disa masave të caktuara kontradiktore e jo të bazuara në kërkime thelbësore shkencore, krijuan një terren të përsosur për abuzimin e pushtetit, veçanërisht nga autokratët dhe regjimet e tyre.

Shfaqja e panevojshme e forcës, ndonjëherë edhe me praninë e strukturave ushtarake, imponoi pengesa të panevojshme si dhe kufizime të lirisë së qytetarëve.

U vendosën masa të pakuptimta ‘drakoniane’, shumë të rrepta e të pajustifikuara shkencërisht.

Shtyrja e zgjedhjeve dhe privimi i njerëzve nga e drejta e votës u përfshi dhe zuri vend në axhendën e disa autokratëve në emër të kontrollit të pandemisë.

Këto nuk ndihmuan aspak në drejtim të kontrollit të pandemisë! Përkundrazi, vendet që iu nënshtruan masave të tilla, përjetuan numrin më të madh të të infektuarve dhe të viktimave. Vendet dhe politikanët, të cilët dëgjuan dhe ndoqën me kujdes këshillat e shkencës dhe kërkimit shkencor, ishin shumë më tepër efikasë e më të suksesshëm në kontrollin e pandemisë së koronavirusit. Qëllimi i autokratëve nuk ishte të kontrollonin në mënyrë efikase pandeminë e koronavirusit, por që të instalonin frikën dhe të shtypnin protestat e shoqërisë civile, të drejtuara kundër shkeljes së të drejtave kushtetuese të imponuara prej tyre.

Të nderuar zonja dhe zotërinj! Jam i sigurt se kemi mësuar shumë gjatë këtyre kohëve tepër të vështira! Kjo do të na ndihmojë, që të përmirësojmë veten dhe t’ia dalim mbanë më mirë në të ardhmen! Bashkëpunimi dhe solidariteti kanë më shumë rëndësi se gjithçka tjetër! Duhet të mbizotërojnë shkenca dhe kërkimi shkencor!

Pandemitë si COVID-19 janë sfida globale, të cilat mund të luftohen dhe kontrollohen vetëm në mënyrë globale.

Prandaj, duhet të krijohet dhe të funksionojë mekanizmi i përbashkët i parandalimit dhe kontrollit të epidemive globale. COVAX-i ishte hapi i parë premtues, por ai duhet të ndiqet nga mekanizma dhe marrëveshje të tjera në diagnostikimin sa më të hershëm të agjentëve infektues.

Stoqet e vaksinave të grumbulluara nga vendet e pasura duhet të dërgohen urgjentisht në vendet në nevojë, veçanërisht në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme, sepse sasi të konsiderueshme vaksinash po i afrohen datës së tyre të skadencës. Gjithashtu nevojiten më shumë fonde, që duhet të ndahen për kërkimin shkencor dhe prodhimin e vaksinave e të ilaçeve!

Ky ishte një angazhim i ndërmarrë nga  G20, duke përcaktuar gjithashtu objektivin që 40% e popullsisë botërore të vaksinohet deri në fund të vitit 2021 dhe 70% deri në mes të vitit 2022. Gjithashtu një strategji e përbashkët qasjeje shëndetësore do të kontribuojë në kontrollin e sëmundjes. Duhet të mbajmë parasysh se mund të përjashtohet përhapja e pandemive të ardhshme. Ndryshimet klimaterike, si dhe ngrohja globale me siguri që do të përshpejtojnë rrezikun e sëmundjeve të reja në mbarë botën.

Prandaj, ne duhet të veprojmë tani!

Jam i sigurt se kjo konferencë do të kontribuojë për të dhënë mesazhin që duhet si dhe për ta nisur atë në drejtimin e duhur!

Ju faleminderit!”

Meta (4)

Meta (3)

Meta (2)