Meta: Do të nisim procesin e kontestimit ligjor të rezultatit të zgjedhjeve

Tiranë, 17 maj 2023 – Ilir Meta duket se nuk e ka ndërmend të dorëzohet përballë humbjes së thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ai paralajmëroi se do të nisë procesin e kontestimit ligjor të rezultatit të zgjedhjeve.

“Çdo minut fakte të reja tronditëse vijnë e dokumentohen se si mafia nën komandën e Ramës e shkatërrroi procesin zgjedhor. I gjithë ky shkatërrim i procesit zgjedhor, jo vetëm po dokumentohet, por do të nisë edhe procesi i kontestimit ligjor dhe përshkallëzimit të veprimit opozitar, në emër të mbrojtjes së votës së lirë”, ka deklaruar Meta, transmeton ABC News.

“Ju e dini se, pavarësisht nga ky tjetërsim, me porosi të Ramës, nën mbrojtjen e Edi Ramës, një gjë është e qartë: gomerët që ua imponoi Rama qytetarëve për kryebashkiakë nuk do të vjedhin më të qetë siç bënë në 4 vite, të cilat u ndanë më 14 maj. Përshkallëzimi i aksionit opozitar, në këshillat bashkiakë, rikthimi i transparencës për çdo qindarkë do të nisë menjëherë”, shtoi ai.

“Ne nuk do të luftojmë jo vetëm në emër të 500 mijë shqiptarëve që në kushte terrori dhe presioni të hapur votuan me sakrifica të mëdha, por edhe në emër të qindra mijëra të tjerëve që u penguan, u intimiduan. U morën kartat dhe u kërcvënuan. Do t’i shikoni të gjitha faktet që janë denoncuar para dhe pas e në vazhdimësi”, u shpreh Meta.

Ai shpjegoi edhe hapat që do të ndërmarrë opozita.

“Në radhë të parë është në rendin e ditës dokumentimi i masakrës zgjedhore, së dyti është kontestimi ligjor i procesit zgjedhor dhe, së treti, është përgatitja e dokumentacionit për organet ndërkombëtare dhe për të përgatitur betejën e transparencës në këshillat bashkiakë”, tha Meta.

Meta e bëri këtë deklaratë nga selia e PD-së, pas një takimi mbi një orësh me aleatin e tij në opozitë, Sali Berisha, i cili gjithashtu ka deklaruar se nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.

(r.m.)