Mesazhi i presidentit u dha një natë pasi Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut.
Knid Ndrenika
Presidenti Ilir Meta tha se do të rikthehet me angazhim “shumë fuqishëm në politikë”, duke arsyetuar këtë hap se “e kam të pashmangshme”.
Në një mesazh në rrjetet shoqërorë presidenti shkruajti se synon që “t’i rikthejë sovranitetin jetës politike, ku askush të mos guxojë më të ndryshojë Kushtetutën pa referendum”.
Mesazhi i presidentit u dha një natë pasi Kuvendi miratoi ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afatit të organeve të Vettingut.
“E kam të pashmangshme të angazhohem shumë fuqishëm në politikë. Shumë më fort se në dhjetor 1990. Në mënyrë që të rivendosim pluralizmin politik në Shqipëri, që është minuar, është tradhtuar”-tha zoti Meta.
Ai shtoi se “do t’i japim vlerën popullit që i takon. Do t’i rikthejmë sovranitetin mbi jetën politike, që të mos guxojë më asnjë Parlament me 140 deputetë të ndryshojë Kushtetutën pa referendum”.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi zgjatjen e afatit të punës së komisioneve të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndryshe vetingu.
Afati u zgjat deri në dhjetor 2024 nga 22 qershori 2022 dhe zgjatja u quajt e nevojshme për shkak të vonesave në procesin e vetingut.
Pas më shumë se dhjetë orësh diskutime 118 deputetë votuan “për”, asnjë “kundër” dhe 4 “abstenim” ndryshimet kushtetuese që shtyjnë deri në 31 dhjetor 2024 veprimtarinë e komisioneve të vetingut.
Afati i trupave të vetingut, që veprojnë mbi ligjin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfundonte në 22 qershor 2022.
Zgjatja e afatit të vetingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (Shkalla e Parë) dhe Komisioneri Publik u bë nga vonesa në kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për kriteret profesionalizëm, pastërti figure dhe pasuri.
Votimi u bë bashkarisht qeveri-opozitë demokratike e kryetarit Lulzim Basha:
“Tani e kuptojmë pse është e rëndësishme për të mos i lënë horrat dhe banditët që kanë sjellë bedelët e tyre në parlaament që të festojnë një ditë kur Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) të largohet dhe gjyqtarët dhe prokurorët t’i emërojnë 100 për qind këta”.
Kryeministri Edi Rama në mbrëmje tha se vetingu është proces i vështirë:
“Proces i dhimbshëm me pjesët e veta pozitive. Nuk ka qenë një proces perfekt, por pastrimi i një llumi të madh të grumbulluar në sistemin e drejtësisë në një vend që nuk ka pasur drejtësi kurrë”!
Mbarimi i afatit për trupat e vetingut ia kalonte kompetencat Prokurorisë së Posaçme SPAK, por euroamerikanët mbështetën ndryshimet kushtetuese në vijim që nga miratimi i reformës në Drejtësi në 21-22 korrik 2016.