Meta hedh poshtë raportimet që e lidhin me ish Sigurimin e Shtetit

Tiranë, 27 korrik 2022 – Ish-Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka hedhur poshtë kategorikisht raportimet që e lidhin me Sigurimin e Shtetit në kohën e komunizmit.

Meta ka thënë se këto pretendime janë të motivuara politikisht dhe janë nxitur nga kryeministri Edi Rama. Ai e ka akuzuar Autoritetin e Dosjeve për manipulim të dosjeve.

“Është për të ardhur keq për sjelljen e Autoritetit të manipulimit të dosjeve”, ka thënë Meta.

Ai ka kujtuar se ai i ka kaluar të gjithë filtrat e pastërtisë së figurës qysh prej vitit 1992,

“Me një e-mail anonim, që kur të zbulohet do gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar pas 30 e ca vitesh, se I.M. qenka ky njeri i cili që në mars të vitit 1992 është bërë deputet dhe iu është nënshtruar të gjithë filtrave të të gjithë komisioneve të të gjitha kohërave”, është shprehur Meta.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në një document dërguar Kuvendit të Shqipërisë, ka thënë se emri i Metës gjendet në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Sipas dokumentit, emri i Metës është gjetur në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, ndonëse Meta ishte pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës.

“…Ilir Meta, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë me vendim të datës 28.04.2017, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit”, thuhet në dokumentin e Autoritetit të Dosjeve dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë.

“Me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më dhe në përndjekje të qëllimit për të mundësuar që personat që ushtrojnë detyra shtetërore, aq më shumë ato subjekte që ushtrojnë detyra të larta, duhen bërë disa ndryshime në Kodin Zgjedhor”, thuhet në dokument.

Dokumenti i Autoritetit të Dosjeve që e implikon Metën me ish-Sigurimin e Shtetit u publikua vetëm dy ditë pasi Meta e përfundoi mandatin e Presidentit të Republikës dhe u rikthye në partinë që e kishte themeluar vetë, Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila me rikthimin e Metës u ripagëzua “Partia e Lirisë”.

Ilir Meta dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kanë paralajmëruar oponencë të fuqishme kundër kryeministrit Edi Rama, të cilin e quajnë si kreun e krimit të organizuar e korrupsionit, për shkatërrimin e institucioneve shtetërore dhe për instalimin e sistemit autoritarist në Shqipëri.

(r.m.)