Meta ia dorëzoi dekoratën “Nderi i Kombit” Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës

Tiranë, 21janar 2022 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ia dorëzoi sot Teatrit “Andon Zako Çajupi” të Korçës dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

“Arti është jo vetëm një përbashkues, por një nxitës, një frymëzues për ndryshime shoqërore, duke ndikuar në shoqëri dhe duke frymëzuar ndryshime pozitive. Teatri është një nga format më të bukura dhe më ‘njerëzore’ të artit. Misioni i tij është të na ndërgjegjësojë për mundësitë, të na sfidojë për mënyrën se si mendojmë dhe të na nxisë jo vetëm të imagjinojmë, por të punojmë për botën që duam dhe që aspirojmë. Këtë mision të teatrit e ka përmbushur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe cilësore Teatri ‘Andon Zako Çajupi’ i Korçës”, tha Presidenti Meta në ceremoninë e dorëzimit të dekoratës, në Korçë.

“Teatri ‘Andon Zako Çajupi’ është dalluar për cilësinë e lartë të shfaqjeve të tij, duke u vlerësuar me shumë çmime e tituj në festivale kombëtare e ndërkombëtare, duke marrë vlerësime nga qarqet artistike dhe kritikat letrare teatrore. Jam i bindur që edhe në vitet e dekadat që do të vijnë, me këtë respekt të jashtëzakonshëm, që ju, si askush tjetër, po tregoni për trashëgiminë për ça më mirë se gjithçka flet muzeu i këtij teatri”, shtoi ai.

“Në vlerësim të kontributit të vyer për zhvillimin e artit dhe të kulturës shqiptare, kam privilegjin të vlerësoj sot, Teatrin ‘Andon Zako Çajupi’ me Dekoratën e lartë dhe plotësisht të merituar ‘Nderi i Kombit’ dhe të shpreh sot mirënjohjen më të madhe, sidomos për ata që nuk janë midis nesh, por që janë gjithmonë në sytë tanë dhe gjithmonë na krijojnë emocione sepse artistët kanë një avantazh, që janë të përjetshëm”, theksoi ai.

Presidenti Meta ua akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” katër artistëve të shquar korçarë: Spanja Pipa, Koço Qëndro, Sotiraq Bratko dhe Roland Karanxha.

Drejtoresha e Teatrit “Anton Zako Çajupi, Zamira Kita, e falënderoi Presidentin Meta për vlerësimin e punës të këtij teatri ndër vite dhe të artistëve që punuan me dashuri e përkushtim të madh në këtë teatër.

Fjala e plotë e Presidentit Meta:

E dashur Zamira, të dashur artistë dhe artiste, familjarë të tyre,

I nderuar zoti kryetar i Bashkisë,

E nderuar zonja kryetare e Këshillit të Qarkut,

I nderuar zoti kryetar i Këshillit Bashkiak dhe gjithë personalitet që na nderojnë sot këtu,

Jam i lumtur të rikthehem në këtë qytet të mahnitshëm, aq më tepër, që kur dhe velloja e dëborës, e ka bërë punën e saj, në Korçën e djepit të arsimit dhe të parës shkollë shqipe, në Korçën e kulturës dhe të artit, në Korçën e Rilindjes Kombëtare.

Pas vizitës në muzeun e teatrit tuaj, mund të them, në Korçën e jashtëzakonshme, që më mirë se sa i madhi Dhimitër Orgocka, unë nuk mund ta shpreh: ‘Në Korçën që nuk di të fishkëllejë, por di vetëm të duartrokasë’.

Kjo është meritë e qytetarisë korçare, e publikut të mrekullueshëm, por është meritë e artistëve të Korçës, meritë e atyre gjeneratave, që në këto 72 vite kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, duke sjellë vlera të cilat janë themel të trashëgimisë, jo vetëm për Korçën, por dhe në nivel kombëtar.

Artistët janë krenaria e vendit dhe janë nga figurat më të dashura për publikun. Ata janë edhe frymëzim për të rinjtë, për fëmijët, për brezat e ardhshëm.

Arti është jo vetëm një përbashkues, por një nxitës, një frymëzues për ndryshime shoqërore, duke ndikuar në shoqëri dhe duke frymëzuar ndryshime pozitive.

Teatri është një nga format më të bukura dhe më ‘njerëzore’ të artit.

Misioni i tij është të na ndërgjegjësojë për mundësitë, të na sfidojë për mënyrën se si mendojmë dhe të na nxisë jo vetëm të imagjinojmë, por të punojmë për botën që duam dhe që aspirojmë.

Këtë mision të teatrit e ka përmbushur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe cilësore Teatri ‘Andon Zako Çajupi’ i Korçës.

Premierat e vëna në skenë në Teatrin ‘Andon Zako Çajupi’ janë të panumërta, nga veprat e klasikëve botërorë, në ato të autorëve shqiptarë.

Në 72 vite jetë, në këtë teatër kanë interpretuar emra të mëdhenj të teatrit e skenës shqiptare si Pandi Raidhi, Thimi Filipi, Dhimitër Trajçe, Dhorkë Orgocka, Llazi Serbo, Jani Riza e shumë e shumë të tjerë, të ndjekur nga breza të tjerë aktorësh të rinj të shkëlqyer, që vazhdojnë të japin kontributin e tyre edhe sot.

Po kështu, regjisorë të shquar kanë dhënë kontributin e tyre në këtë teatër si: Sokrat Mio, Pirro Mani, Aleko Skali, Dhimitër Orgocka, Mihallaq Luarasi etj.

Ndërkohë që skenografë profesionistë si Vangjush Mio, Kostaq Tushi, Koço Ristani, Roland Karanxha etj., kanë luajtur një rol thelbësor në suksesin e shfaqjeve të këtij teatri.

Teatri ‘Andon Zako Çajupi’ është dalluar për cilësinë e lartë të shfaqjeve të tij, duke u vlerësuar me shumë çmime e tituj në festivale kombëtare e ndërkombëtare, duke marrë vlerësime nga qarqet artistike dhe kritikat letrare teatrore.

Jam i bindur që, edhe në vitet e dekadat që do të vijnë, me këtë respekt të jashtëzakonshëm, që si askush tjetër, ju tregoni për trashëgiminë dhe për të cilën, më mirë se gjithçka flet muzeu i këtij teatri.

Jam i bindur që me këtë vlerësim, ju do të vazhdoni, në këtë mënyrë edhe në të ardhmen, për të realizuar vepra të tjera artistike- kulturore dhe për të pasuruar më tej vlerat shpirtërore korçare dhe mbarë shqiptare dhe evropiane.

Në vlerësim të kontributit të vyer, për zhvillimin e artit dhe të kulturës shqiptare, kam privilegjin të vlerësoj sot, Teatrin ‘Andon Zako Çajupi’ me Dekoratën e lartë dhe plotësisht të merituar ‘Nderi i Kombit’.

Dhe të shprehim sot, mirënjohje më të madhe, sidomos për ata që nuk janë midis nesh, por që janë gjithmonë në sytë tanë dhe gjithmonë na krijojnë emocione sepse artistët kanë një avantazh, që janë të përjetshëm.

Po kështu kam kënaqësinë që të vlerësojmë sot edhe disa personalitete të shquara të komunitetit tuaj artistik, në të ardhmen besoj do të kemi mundësi, për të bërë vlerësime të tjera, pasi ju keni kaq shumë artistë të mrekullueshëm.

Spanja Pipa është një nga ato që ka dhënë shpirt edhe jetë, dramës, tragjedisë apo komedisë në skenë, prej dekadash.

Ajo është ndër të parat artiste femra dhe më një kontribut të jashtëzakonshëm, në Estradën dhe Teatrin profesionist të Korçës.

Këngëtare, instrumentiste e aktore zonja Spanja Pipa nuk ka reshtur asnjëherë së aktruari dhe kënduari, duke krijuar figura të bukura, role të veçanta e të pëlqyera nga publiku.

Vepra e saj, pasioni dhe dashuria e saj për artin janë bërë frymëzim për brezat e rinj të aktorëve.

Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar për zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare, si dhe për karrierën e pasur e profesioniste artistike, si këngëtare dhe aktore e dashur nga publiku, kam kënaqësinë ta vlerësoj sot zonjën Spanja Pipa me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Koço Qëndro që pritet të vendosë rekord botëror, të luaj në moshën 100-vjeçare shumë shpejt.

Është ndoshta më i riu midis të gjithëve ne këtu. Frymëzues për brezat e rinj. Një aktor i mirënjohur i teatrit dhe filmit, që ka spikatur me rolet e tij në të gjitha skenat shqiptare, por edhe kudo.

Ai ka një kontribut të rëndësishëm në skenën e teatrit dhe ekranit e kinemasë sonë.

Do të mjaftonte të përmendja vetëm një nga rolet më të bukura, por edhe më të vështira të dramaturgjisë botërore, atë të Harpagonit, në komedinë ‘Kopraci’ të Molierit.

Koço Qëndro e ka luajtur këtë rol për gati 60 vite me radhë, në shumë skena kombëtare dhe ndërkombëtare, për t’iu kthyer sërish, me mjaft mjeshtëri edhe në moshën 94-vjeçare.

Në vlerësim të kontributit të vyer, si aktor i talentuar dhe i mirënjohur, në skenat shqiptare dhe në ato shqipfolëse, kam kënaqësinë të vlerësoj sot zotin Koço Qëndro me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Sotiraq Bratko, është me një karrierë shumë të pasur artistike, me role të panumërta në teatër dhe kinematografi. Publiku e mban mend për arritjet e tij profesionale dhe ka duartrokitur pafundësisht kudo, brenda dhe jashtë vendit.

Zoti Sotiraq Bratko ka marrë vlerësime e çmime të shumta për interpretimet e tij, midis të cilave do të veçoja çmimin ‘Kult’, në vitin 2016 si ‘Aktori më i mirë i vendit’.

Prandaj me mirënjohje për karrierën e pasur si aktor i talentuar dhe për kontributin e tij të vyer për artin dhe kulturën shqiptare vlerësoj zotin Sotiraq Bratko me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Roland Karanxha, ai ka një rol thelbësor në këtë teatër, për suksesin e çdo shfaqjeje si skenograf.

Pasioni i Roland Karanxhës për pikturën lindi në rrugicat e qytetit të tij, të Korçës ku dhe përjetoi frymëzimet e para.

Ai e ndoqi këtë pasion me studimet e tij në Liceun Artistik ‘Jordan Misja’ në Tiranë dhe pranë Akademisë së Arteve të Bukura, ku dhe do evidentohej, veçanërisht në gjininë e grafikës dhe pikturës.

Me kthimin në qytetin e lindjes do të niste karrierën e tij pranë Teatrit ‘Andon Zako Çajupi’, në rolin e skenografit, duke marrë një trashëgimi të rëndësishme, nga piktori i madh Vangjush Mio.

Nën firmën e Roland Karanxhës janë vënë në skenë mbi 200 skenografi, të vlerësuara me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Origjinaliteti, shoqëruar me një frymë novatore, që ai solli në gjininë skenografike, e bëjnë atë një nga personalitetet më të spikatura në këtë disiplinë në vendin tonë.

Në vlerësim dhe me mirënjohje për frymën e rrallë krijuese në gjininë skenografike si dhe për pasurimin e trashëgimisë së vyer artistike kombëtare, vlerësoj zotin Roland Karanxha me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Edhe njëherë faleminderit bashkisë së Korçës për bashkëpunimin që do ta vazhdojmë sepse ky është një qytet, që ka krijuar shumë personalitete.

Urime shumë për muzeun dhe për kujdesin e dëshmuar për ruajtjen e traditave, të trashëgimisë dhe të vlerave artistike dhe kulturore.

për fat të mirë, Korça tregon edhe njëherë qytetarinë e saj. Ashtu siç u gëzova në Ersekë, kur isha përpara disa ditësh pashë një punë shumë të mirë për muzeun e Kolonjës.

Kudo ne duhet t’i ruajmë këto vlera, se asgjë nuk fillon nga e para.

Asgjë nuk mund të ketë vazhdimësi të suksesshme, në rast se nuk respektojmë, traditat edhe arritjet e më të mirëve përpara nesh.

Faleminderit!.

(r.m.)