Fëmijët e spektrit autik çelin ekspozitë në presidencë
Knid Ndrenika
Fëmijë me spektër autizmi happën në presidencën e Shqipërisë një ekspozitë me punime të tyre në pikturë.
Presidenti Ilir Meta tha se çdo fëmijë është unik për prindërit e tij dhe të gjithë prindërit janë krenarë për fëmijët e tyre.
Zoti Meta tha se fëmijët e mrekullueshëm me spektër autizmi sollën në një ditë me shi, diellin dhe ngjyrat në Institucionin e Presidentit, nëpërmjet një ekspozite të veçantë me punime të tyre.
Kjo ekspozitë u çel në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin në bashkëpunim me “Klubin Kombëtar të Prindërve të Fëmijëve me Çrregullime të Spektrit Autik dhe Aftësi të Kufizuara”.
“Në këtë veprimtari të organizuar theksova domosdoshmërinë, që institucionet shtetërore të mbështesin fëmijët me autizëm dhe t’ju ofrojnë familjeve të tyre të gjithë ndihmën e nevojshme sociale, psikologjike dhe financiare”-tha presidenti
Zoti Meta bëri thirrje njëherit që të gjithë të përpiqen çdo ditë për t’u krijuar kushtet fëmijëve me aftësi ndryshe të arrijnë potencialin e tyre të plotë, duke ju garantuar një arsim dhe mirëedukim cilësor, si dhe rritur mirëkuptimin dhe pranimin e tyre në shoqëri.
“Shoqëria jonë ka nevojë për solidaritet, për një Shqipëri të dhembshur dhe humane, për dashurinë, kujdesin dhe përkushtimin ndaj njerëzve më në nevojë!”-theksoi presidenti Meta.