Tiranë, 4 maj 2021 – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e ka përshëndetur fillimin e stërvitjes ushtarake të NATO-s ’Defender Europe 21’’.
Meta, në një status në Facebook, ka thënë se Shqipëria ndihet e vlerësuar sepse i është besuar përgjegjësia e vendit pritës për një nga stërvitjet më të mëdha në rajon dhe ka shprehur bindjen se Shqipëria do ta arsyetojë këtë besim.
“Jam i bindur se përmes kësaj stërvitjeje të përbashkët do të dëshmojmë se jemi të gatshëm në çdo kohë të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë në të gjithë hapësirën euroatlantike dhe jo vetëm”, ka theksuar Meta.
Statusi i plotë i Metës:
Shumë suksese stërvitjes së përbashkët ushtarake të NATO-s “Immediate Response 21” (Defender Europe 21).
Shqipëria, anëtare e NATO-s, ndihet e vlerësuar, se i është besuar detyra dhe përgjegjësia e vendit pritës për një nga stërvitjet më të mëdha në rajon, rol që do ta justifikojë plotësisht.
Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj NATO-s është unanime, ashtu sikundër vokacioni europian i kombit tonë.
Vendi ynë do të vazhdojë të jetë një partner dhe anëtar i denjë i Aleancës, me synimin e qartë të përmbushjes së objektivave dhe vullnetit të popullit për t’u bërë sa më shpejt pjesë e familjes së madhe europiane.
Jam i bindur se përmes kësaj stërvitjeje të përbashkët do të dëshmojmë se jemi të gatshëm në çdo kohë të mbrojmë vlerat e lirisë, paqes dhe demokracisë në të gjithë hapësirën euroatlantike dhe jo vetëm. 🇦🇱🇪🇺🇺🇸
(r.m.)