Prishtinë, 22 korrik 2022 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë, ka thënë se Shqipëria duhet të bëjë më shumë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Shqipëria i ka mundësitë dhe duhet të bëjë më shumë në këtë drejtim. Si vend anëtar i NATO-s, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit, si vend që sapo nisi negociatat e anëtarësimit në BE, Shqipëria ka një hapësirë veprimi ende të pashfrytëzuar sa duhet në dobi të forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Meta, në një adresim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtë për realizimin e objektivave strategjike, duke theksuar se integrimi në Bashkimin Evropian duhet të jetë mision parësor për të dy shtetet.
Meta ka përkujtuar kohën kur e kishte vizituar Kosovën në dhjetor të vitit 2000, aso kohe si kryeministër i Shqipërisë, me ftesë të ish-kryeadministratorit, Bernard Kouchner.
“Pata theksuar se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për marrëdhënie si partnere dhe jo për paternalizëm”, ka theksuar ai.
“Sot duhet të jetë edhe më absurde të kemi marrëdhënie paternalizëm kur shteti i ri i Kosovës është shembull në shumë drejtime – jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Unë e kam mbajtur derën e hapur çdo qytetari të Kosovës dhe përfaqësuesi te saj pa dallim në mënyrë që marrëdhëniet tona të jenë vëllazërore dhe strategjike ne mënyrën me kuptimplotë”, ka thënë Presidenti i Shqipërisë.
Ai ka folur për lidhjet e forta midis Kosovës e Shqipërisë.
‘Gjithçka e lidh Kosovën me Shqipërinë. Gjaku, kultura zakonet, gjuha, interesat dhe interesat euro-atlantike. Kjo lidhja jonë i ka rrënjët tek etërit tonë, nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu tek Adem Jashari e Ismail Qemaili tek Ibrahim Rugova. Ata e kanë mbajtur gjallë këtë frymë”, ka shtuar ai.
Meta ka thënë se Kosova ka arritur rezultate madhore, si në ndërtimin e institucioneve demokratike, ashtu edhe në arritje të konsiderueshme në rrafshin ndërkombëtar. Ai ka thënë se shteti i ri i Kosovës, në shumë drejtime, është shembull edhe për vendet tjera të rajonit, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Presidenti Meta ka folur edhe për luftën për lirinë e pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë thirrje për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Të krenohemi për lirinë dhe pavarësinë, por të qëndrojmë më vigjilentë ndaj rreziqeve të reja që na kanosen. Historia na e jep çdo të drejtë të krenohemi me luftën çlirimtare të UÇK-së, por të kujdesemi që kjo luftë të vazhdojë të mbetet e panjollosur, siç e meriton. Të mbështesim kauzën heroike të luftëtarëve për tu mbrojtur dhe çliruar nga gjenocidi. Pafajësia e udhëheqësve që sot gjenden padrejtësisht në Hagë do triumfojë mbi çdo tentativë të pashpresë që synon t’i kthejë agresorët në viktima dhe viktimat në agresorë. Kosova është jo vetëm faktor paqeje, sigurie, stabiliteti por edhe demokratizimi dhe evropianizimi në rajon”, ka thënë Meta.
Presidenti Meta ka thënë se Shqipëria duhet të mbështesë proceset integruese që e përfshijnë Kosovën, ndërsa për dielogun Kosovë – Serbi ka thënë se duhet të përmbyllet me njohjen reciproke.
“Procesi i Berlinit është platforma më e mirë e bashkëpunimit rajonal që i shërben evropianizimit të plotë të rajonit tonë. Dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet t’i përmbahet misionit të saj. Mendoj se dialogu duhet të rivitalizohet në mënyrë që ajo të sjell njohjen reciproke ndërmjet dyja vendeve”, ka thënë ai.
(r.m.)