Tiranë, 29 tetor 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka pritur të premten në takim ministrin e Jashtëm të Kinës, Wang Yi, i cili gjendet në vizitë zyrtare në Shqipëri.
Meta e ka shprehur interesin për forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë mes dy vendeve dhe popujve.
“Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim janë fusha me interes dhe me dobi reciproke për vendet dhe popujt tanë”, citohet të ketë thënë Meta, në njoftimin e kabinetit të tij.
Presidenti Meta, duke e theksuar rolin e Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, që përkon me 50-vjetorin e anëtarësimit të Republikës Popullore të Kinës në OKB, e ka siguruar ministrin kinez për bashkëpunim në funksion të forcimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit kudo në botë.
Vizita e ministrit kinez në Tiranë realizohet në prag të mandatit të Shqipërisë anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Shqipëria është pjesë e Nismës së Kinës 17+1, e cila synon zgjerimin e bashkëpunimit të Kinës me vende të Europës Lindore dhe Qendrore.
Kjo nismë shihet me shqetësim nga ekspertët për shkak të mungesës së transparencës mbi investimet kineze.
(r.m.)