Meta në Vlorë: Flamuri është i të gjithë shqiptarëve, frymëzim për t’u bashkuar

Tiranë, 28 nëntor 2021 – Presidenti i Republikës Ilir Meta dha një mesazh në përfundim të ceremonisë së ngritjes së flamurit dhe vendosjes së kurorave me lule në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë.

Meta theksoi se sot ka vetëm mesazhe bashkimi dhe se flamuri është i të gjithë shqiptarëve.

Ai tha se është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në BE.

“Si mund të lëmë ne në heshtje festën më të rëndësishme të kombit tonë, ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe ditën e ditëlindjes së Adem Jasharit.

Sot kemi vetëm mesazhe bashkimi kudo për të gjithë shqiptarët sepse ky është flamuri i të gjithë shqiptarëve, është flamuri i Ismail Qemalit, por është dhe flamuri i Isa Boletinit. Është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në BE”, tha Meta.

I pyetur për nisjen e punimeve në aeroportin e ri, Kreu i Shtetit tha: “Besoj se Vlora do jetë në krye të bashkimit në të gjitha kohët, siç ka qenë gjithmonë dhe të patriotizmit për të mirën e Shqipërisë”.

Presidenti është takuar dhe me qytetarët, duke ndarë urimet më të ngrohta për këtë festë.

“🇦🇱 Në këtë ditë të madhe të bashkimit kombëtar, pata kënaqësinë e veçantë të ndaja urimet më të ngrohta me shumë qytetarë, nga të gjitha trojet shqiptare, që kishin ardhur në Vlorën e Pavarësisë për të festuar Ditën e Flamurit”.

(BalkanWeb)