Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje qeverisë që “të shtojë sa më parë fondet për sistemin shëndetësor, për të përmirësuar shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve”
Knid Ndrenika
Presidenti Ilir Meta tha se shtimi tepër i lartë i rasteve të infektimeve me COVID-19, fatkeqësisht dhe të humbjeve të jetëve në ditët e fundit, siç e quajti “moment shumë serioz”, nuk mund të mbahet nën kontroll me orë policore.
Presidenti tha se veçanërisht në rrethanat e reja të krijuara me përhapjen e variantin “Delta”, lind nevoja jetike për marrjen e masave të tjera efektive për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Sipas zotit Meta duhen masa shkencore dhe proporcionale, vaksinim shtesë dhe protokolle shëndetësore të konsoliduara dhe të njohura ndërkombëtarisht për të përballuar gjendjen e përkeqësuar në Shqipëri nga Koronavirusi.
Për presidentin Meta, zgjidhje me rëndësi dhe rrugë për të ecur është testimi, gjurmimi, izolimi dhe trajtimi i duhur mjekësor siç vëren se “janë hapa jetike në këtë situatë”.
“Inkurajoj qytetarët, veçanërisht ata me probleme të tjera shëndetësore dhe që nuk e kanë kaluar COVID-19, të vaksinohen sa më parë për të reduktuar mundësinë e përhapjes së virusit të rrezikshëm”-shkruajti presidenti në facebook.
Ai theksoi gjithashtu se mbajtja e maskave, respektimi i distancimit fizik dhe higjiena maksimale janë të domosdoshme gjithashtu.
Zoti Meta i bëri thirrje qeverisë që “të shtojë sa më parë fondet për sistemin shëndetësor, për të përmirësuar shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve”.
Vetëm kështu sipas presidentit Meta duhet vepruar “për të mos u gjendur sërish para gjendjeve të papranueshme të mjekëve dhe infermierëve në qendra shëndetësore, që luftonin në vijën e parë, pa pajisje mbrojtëse dhe mjetet e duhura diagnostike”.
Deklarata nga presidenti Ilir Meta në facebook:
Shtimi tepër i lartë i rasteve të infektimeve me COVID-19, fatkeqësisht dhe të humbjeve të jetëve në ditët e fundit, veçanërisht në rrethanat e reja të krijuara me përhapjen e variantin “Delta”, shtrojnë nevojën jetike për marrjen e masave të tjera efektive për të mos lejuar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Ky moment shumë serioz nuk mund të mbahet nën kontroll me orë policore, por me masa shkencore dhe proporcionale, vaksinim shtesë dhe protokolle shëndetësore të konsoliduara dhe të njohura ndërkombëtarisht.
Testimi, gjurmimi, izolimi dhe trajtimi i duhur mjekësor janë hapa jetike në këtë situatë.
Inkurajoj qytetarët, veçanërisht ata me probleme të tjera shëndetësore dhe që nuk e kanë kaluar COVID-19, të vaksinohen sa më parë për të reduktuar mundësinë e përhapjes së virusit të rrezikshëm.
Mbajtja e maskave, respektimi i distancimit fizik dhe higjiena maksimale janë të domosdoshme gjithashtu.
I bëj apel Qeverisë të shtojë sa më parë fondet për sistemin shëndetësor, për të përmirësuar shërbimin e ofruar ndaj qytetarëve dhe për të mos u gjendur sërish para gjendjeve të papranueshme të mjekëve dhe infermierëve në qendra shëndetësore, që luftonin në vijën e parë, pa pajisje mbrojtëse dhe mjetet e duhura diagnostike.