Tiranë, 17 shtator 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka folur të premten në Korçë lidhur me dekretimin e qeverisë se re dhe me rolin e tij në zhvillimet aktuale politike në vend.
Ai ka thënë se protagonizmi i tij në jetën politike gjatë dy viteve të fundit ishte i imponuar nga rrethanat e krijuara pas btaktisjes së institucioneve nga opozita dhe përpjekjeve të mazhorancës për të marrë nën kontroll institucionet e pavarura, përfshirë edhe institucionin e Presidentit.
“Unë besoj se i gjithë protagonizmi im jo i zakonshëm në 2 vitet e fundit, nuk ka qenë i kërkuar nga Ilir Meta, por i imponuar në mbrojtje të demokracisë e të Kushtetutës, në kushtet e braktisjes nga opozita të të gjitha institucioneve, por edhe në kushtet e përpjekjeve të pandalshme të mazhorancës për të kapur çdo institucion, në mënyrën më të veçantë Gjykatën Kushtetuese, për të kapur edhe institucionin e Presidentit që para zgjedhjeve dhe për të krijuar një situatë të pashpresë për demokracinë, për ndryshimin dhe për qytetarët. Jam i detyruar ta respektoj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, është shprehur Meta.
Ai ka theksuar se askush nuk duhet të presë që Presidenti i vendit të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëve të tjerë politikë dhe ka shfaqur shpresën se opozita do ta bëjë detyrën e saj në kuvend dhe se institucionet e pavaruara, siç është shprehur, “do ta marrin veten”.
“Aktualisht askush nuk duhet të presë që Presidenti të marrë përsipër detyra që u takojnë aktorëve të tjerë politikë. Shpresoj që opozita të përmbushë përgjegjësitë e saj në parlament, në mënyrë që ai të jetë funksional dhe që sistemi i llogaridhënies të funksionojë në interes të publikut. Shpresoj që edhe institucionet tjera ta marrin veten”, ka thënë ai.
Presidenti Meta ka thënë se shkalla e demokracisë në Shqipëri është ende problematike, por shumë më e mirë se para 25prillit, kur ajo ishte, siçështë shprehur, “katastrofike”.
“Përsa i takon situatës së demokracisë në vendin tonë, edhe ajo kuptohet se është në një gjendje problematike. Nuk është ndoshta ashtu siç do të donin shumë, përfshirë edhe mua, pas 25 prillit, por pa asnjë diskutim është shumë më mirë se sa situata katastrofike para 25 prillit në kushtet e mungesës së një parlamenti kushtetues dhe funksional, në kushtet e zero opozitës në të gjitha institucionet kryesore, qendrore dhe vendore të vendit, kështu që aktualisht, pas 25 prillit, sidoqoftë, janë mundësitë për rivendosjen e plotë të demokracisë, për një demokraci funksionale, për një parlament funksional. Ky është qëllimi ynë kryesor dhe duhet të jetë i të gjithë qytetarëve që demokracia të funksionojë”, ka thënë Meta.
(r.m.)