Meta: Rama kryeministër, zotohemi për bashkëpunim

I propozuar për kryetar Kuvendi, Ilir Meta premtoi bashkëpunim të ngushtë me Partinë Demokratike si opozita e re – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se integrimi europian janë më pranë Shqipërisë pas mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet e 23 qershorit

 

Denion Ndrenika

Fituesit e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit vendosën të mandatojnë për kryeministër të Shqipërisë kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetar të Kuvendit, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Kryepartiakët Rama dhe Meta biseduan mbi 2 orë e 30 minuta në hotelin “Sheraton” në Tiranë. Partia Socialiste njoftoi ndarjen e posteve në ekzekutiv dhe legjislativ. Zotërinjtë Rama dhe Meta caktuan zyrtarët Edmond Haxhinasto nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Ilir Beqja nga Partia Socialiste për të punuar me programin qeveritar të 300 ditëve të para që do të shpallet në shtator. I propozuar për kryetar të ri të Kuvendit, Ilir Meta, konfirmoi se kryeministër i ri i Shqipërisë do të jetë kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama. Zoti Meta e bëri deklaratën në mbledhjen e kryesisë së forcës së tij politike Lëvizja Socialiste për Integrim. Vota e 23 qershorit, sipas zotit Meta, ishte lexuar shumë mirë nga aleanca fituese dhe kryesocialisti Edi Rama. Sipas të propozuarit për kryetar të Kuvendit, rëndësi të madhe ka procesi i pandalshëm i integrimit të Shqipërisë dhe marrja e statusit “kandidat”: “Kjo ka qenë votë e qartë kundër arrogancës dhe vetëkënaqësisë. tani është koha për përulësi. Këto mesazhe i ka lexuar edhe kryetari i Partisë Socialiste, zoti zoti Edi Rama kryeministri i ardhshëm. Vendi me zgjedhjet dhe me votën e 23 qershorit ka hedhur një hap të sigurtë për marrjen e statusit “kandidat” brenda këtij viti dhe për proces të pandalshëm të integrimit të plotë në Bashkimin Europian”.
Me rëndësi zoti Meta e quajti një mundësi të mirë për efikasitetin e qeverisë dhe të Kuvendit ndarjen e detyrës së deputetit nga e ministrit dhe përjashtoi frikën për mospajtime të pritshme me kryesocialistin Edi Rama. Zoti Meta u zotua për bashkëpunim veçmas me opozitën e ardhshme Partinë Demokratike, përfshi reformat dhe Kodin e ri Zgjedhor: “Ndryshimet në kod apo edhe ndryshime të tjera të rëndësishme nuk kërkojnë vetëm një mazhorancë numerike, por konsensus me opozitën. mënyra se si do të sillet Partia Demokratike është një e drejtë ekskluzive e Partisë Demokratike. Ne dëshirojmë dhe shpresojmë për një bashkëpunim sa më të gjerë në interes të vendit”.
“Aleanca për Shqipërinë Europiane” opozitare fitoi shumicën me 84 deputetë kundrejt 56 të Partisë Demokratike. Lëvizja Socialiste për Integrim mori fitoi 16 deputetë, ose katër herë më shumë nga viti 2009. Nga koalicioni i majtë 66 deputetë i ka Partia Socialiste dhe nga një Partia Kristiandemokrate Shqiptare dhe Partia për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut.

2 Responses to “Meta: Rama kryeministër, zotohemi për bashkëpunim”

Read below or add a comment...

  1. Berat Gashi says:

    test