TIRANË
Presidenti Ilir Meta u bëri thirrje sot deputetëve të mbrojnë Parkun e Butrintit dhe vlerat e trashëgimisë historike dhe kulturore kombëtare.
Reagimi i Metës erdhi pasi komisioni për Ekonominë dhe Financat rrëzoi dekretin e Presidentit për kthimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”.
Në reagimin e tij, Meta shprehet se ligji bie ndesh me Kushtetutën.
Presidenti ftoi deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të lexojnë me shumë vëmendje të gjitha arsyet ligjore të prezantuara edhe sot në Komisionin e Ekonomisë nga Këshilltari Ligjor, Bledar Dervishaj, lidhur me kthimin për rishqyrtim në Kuvend të këtij ligji.
Sipas tij, “ligji cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës”.
“Ligji cenon parimet dhe vlerat universale që mbrohen që në preambulën e Kushtetutës, duke cenuar kësisoj drejtpërdrejtë interesin publik shqiptar. Cenon Konventën e Parisit dhe nuk është në harmoni me parimet e mbrojtura nga UNESCO. Ligji bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese; praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij; procedura e ndjekur nuk ka garantuar një proces të gjerë e të thelluar të konsultimit me publikun, duke sjellë kështu një produkt jo cilësor dhe një debat publik mbi këtë çështje; shmang auditimin përmes institucioneve të pavarura kushtetuese të veprimtarisë ekonomike-financiare lidhur me të ardhurat që do të krijohen dhe mënyrën e përdorimit të tyre; për shkak të mungesës së konsultimit gjithëpërfshirës, ky ligj është produkt i një procesi që ka shkelur Rezolutën e datës 19 maj 2022, të miratuar nga Parlamentit Europian”, argumenton Meta.
Po ashtu, Meta u kërkon deputetëve të pranojnë dekretin e Presidentit, pasi sipas tij, “rrëzimi do të përkeqësonte marrëdhënien e shtetit me qytetarët”.
“I kujtoj shumicës në Kuvendin e Shqipërisë se nëse do të zgjedhë të rrëzojë politikisht Dekretin e Presidentit dhe të vijojë me hyrjen në fuqi të ligjit, kjo nuk do t’i shërbente aspak interesave të larta të vendit dhe kombit shqiptar, por do të përkeqësonte çdo marrëdhënie të organeve të shtetit me shoqërinë civile, ekspertët, dhe qytetarët në tërësi”, tha ai.
Meta thirrje Kuvendit: Merreni seriozisht çështjen e inceneratorëve
Presidenti Ilir Meta ftoi sot Kuvendin që të merret më seriozisht me çështjen e inceneratorëve, ndërsa shtoi se “është e qartë që ende nuk ka filluar as maja e ajsbergut në aferën e shekullit”.
“Dua dua të ndalem tek skandali i inceneratorëve, konkretisht në lajmet e fundit, që na bënë me dije se përveç pensionistëve që janë në azile, por që figurojnë në mënyrë të paditur të përfshirë në veprime që kapërcejnë mbi 30 milion euro; përveç çobanët që janë në Greqi me rrogë 300 euro, që figurojnë me veprime të pakryera, me miliona euro këtu; për fat të keq, për të kuptuar dramaticitetin dhe imoralitetin e tejskajshëm të kësaj babëzie, e cila është babëzia e shekullit. Dje u zbuluan fakte edhe për një qytetare të ndjerë e cila është ndarë nga kjo botë, të paktën përpara 5-vitesh, por në emrin e të cilës dhe me firmën e saj gjatë këtyre viteve, janë kryer transaksione prej mbi 5-6 milionë eurosh. Kjo është tronditëse”, tha Presidenti në një prononcim për mediet.
“Një vend, një shtet, një Qeveri, që deklaron se nuk kemi çfarë t’i bëjmë zjarrit, se nuk kemi lekë për të blerë një avion apo një helikopter për shuarjen e flakëve që përfshijnë çdo verë pyjet më të bukura të Shqipërisë, që ka kërcënuar Llogoranë vit pas viti, dhe që këtë vit pushtoi edhe të vetmin ishull që kemi, ishullin e Sazanit, ndërkohë në sytë e të gjithë opinionit publik, shohim një situatë kaq të rëndë të korrupsionit, kaq flagrante, që është edhe më poshtëruese, për çdo qytetar të këtij vendi”, vijoi ai.
Meta shtoi se situata është dramatike pasi dihet që të gjitha këto para shkojnë për llogari të krimit dhe të askujt tjetër dhe për më tepër që janë paratë e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
“Shikojmë që prej vitesh, bëhen veprime të tilla, dhe këto veprime bëhen në banka. Çfarë është ky sistem bankar, që pranon firma të tilla? Firma të njerëzve që nuk jetojnë apo firma të njerëzve që janë nëpër azile. Çfarë është kjo Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB), që pranon të bëjë veprime të tilla? Çfarë janë këta noterë që bëjnë veprime të tilla? Ku është Krimi Ekonomik? Ku është Institucioni i Pastrimit të Parave? Kush mban përgjegjësi për këto skandale, që jo vetëm nuk mbarojnë, por vetëm thellohen? Si mund të vazhdojë afera e inceneratorëve, që nga inceneratori i Tiranës e kudo tjetër?”, tha ai. (Ilir Vata, ATSH)