Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë pjesë në homazhet për nder të nënkomisarit Saimir Hoxha, i cili u vra dje në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama pas një operacioni kundër trafikimit të kanabisit.
Meta deklaroi se efektivi i policisë nuk e meritonte të ndahej nga jeta nga familjarët, miqë dhe komuniteti.
Ai gjithashtu shtoi se kjo ngjarje mbetet një moment reflektimi për luftën kundër krimit, duke kërkuar shpëtimin e sa më shumë të rinjve dhe fëmijëve që bien pre e fenomenit dhe të krimeve.
“Është një moment i dhimbshëm që t’i japim sot lamtumirën e fundit një oficeri hero të policisë së shtetit, por edhe një prindi familjari të shkëlqyer si nënkomisari Saimir Hoxha, i cili kurrsesi nuk e meritonte të ndahej nga jeta nga familjarët, shokët, komunitetit të cilit i shërbeu dhe sigurisht është një moment reflektimi për një luftë frontale kundër krimit të organizuar por edhe njëkohësisht për dekurajimin e krimit ordiner, sikurse është një prioritet lufta kundër trafikut të drogës, kundër atyre të cilëve përfitojnë prej saj, por edhe për të shpëtuar sa më shumë të rinj, sa më shumë fëmijë, të cilët për fat të keq bien në prehrin e këtij fenomeni shkatërrimtar dhe janë përgjegjës për akte të tilla që trondisin një shoqëri të tërë. Është një luftë që duhet bërë çdo sekondë. Siç është momenti për të mbështetur më shumë Policinë e Shtetit”, deklaroi Meta.