Tiranë, 25 korrik 2022 – Ilir Meta nuk priti as 24 orë nga përfundimi i mandatit të presidentit të Shqipërisë për t’iu rikthyer jetës aktive politike, në Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), e cila sot u ripagëzua Partia e Lirisë.
Paradite Meta shkoi ta rimerrte kartën e anëtarësisë të partisë politike që e kishte themeluar në vitin 2014, ndërsa në mbrëmje, në Konventën e partisë, ai u votua për drejtues të komitetit që do të merret me udhëheqjen e partisë deri në Konventën e saj të ardhshme. Fillimisht, konventa e miratoi dorëheqjen e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, e miratoi ndryshimin e emrit të LSI-së e cila tash e tutje do të quhet “Partia e Lirisë”, si edhe shuarjen e strukturave drejtuese drejtuese të deritashme.
Ish presidenti Meta u prit me borohoritje dhe me tufa lulesh kur e mori fjalën. Ishte një fjalim i mbushur me tone nacionaliste, në mbrojtje të “një atdheu në rrezik” dhe të interesave të Kosovës që sipas tij kryeministri Edi Rama ishte përpjekur t’i shiste.
“Kam parë një rrezik të jashtëzakonshëm për sovranitetin e këtij vendi, për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, fituar me aq mund, gjak e sakrifica, kam parë një plan të përllogaritur për të ekzekutuar pluralizimin politik në Shqipëri dhe për të patur një fasadë demokraci”, u shpreh zoti Meta.
Ai foli për “një bandë e cila në 5 vite realizoi një grusht shteti me procedura”, por e akuzoi edhe ish drejtuesin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se kishte “vepruar në sinkron me kryeministrin Rama”.
“Sot me gjithë shqiptarët e ndershëm të shpallim non grata kleptokracinë, rilindjen mavi dhe atë pjesë të rilindjes blu të pazareve të 17 majit”, tha Meta.
Përmendja e termit “non grata” nuk është rastësor, sepse ky term së fundmi ka marrë një përdorim të shpeshtë, pas shpallljes ‘non grata” të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili duket se do të jetë aleati politik i Metës, në betejën e tij politike.
Ish presidenti Meta foli sërish për atë që e quan “mafie ndërkombëtare” që, sipas tij, vepron kundër interesave të Shqipërisë.
“Nuk jam këtu për asgjë tjetër veçse për t’ju kërkuar që t’u tregojmë të gjithë atyre shqipfolësve gjakprishur që nuk kanë lidhje me ne, por dhe gjithë botës, se ne jemi një popull me dinjitet, popull europian që, padrejtësisht, kjo mafie, për interesa të saj por dhe të asaj mafies ndërkombëtare që e kërkon Shqipërinë si një vend për pastrimin e parave dhe si një qendër e bazë logjistike për krimin e organizuar, t’i themi që ky është vendi ynë, me të cilin askush nuk mund të luajë”, theksoi ai.
Meta tha se zgjidhja duhet të gjendet përmes referendumit. Sipas tij, referendumi “do të jetë Shpata e Demokleut mbi të gjithë uzurpatorët e pushtetit, oligarkët e pangopur, garancia se sovraniteti nuk i përket popullit vetëm në letër dhe se ata që e prekin Kushtetutën dhe sovranitetin do të kenë fatin e zi”.
(Sipas Zërit të Amerikës)