Meta: Senatori Dole ishte mik i madh i shqiptarëve. Do t’i jemi përherë mirënjohës

Tiranë, 5 dhjetor 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në një mesazh pikëllimi për vdekjen e senatorit Bob Dole, e ka vlerësuar si mik të madh të shqiptarëve.

“Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatura të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre”, kashkruar Meta.

“Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan…”, ka theksuar ai.

Mesazhi i plotë i Metës:

Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole.

Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatura të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre.

Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës.

Jam pranë familjes së Tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar!

Do të na mungojë shumë të gjithëve!

(r.m.)