Tiranë, 31 dhjetor 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në mesazhin e urimit të Vitit të Ri, ka shprehur dëshirën që në vitin 2020 Shqipëria të jetë më demokratike, më e drejtë, më të bashkuar dhe më të fortë, ndërsa shqiptarët të jenë më të shëndetshëm dhe më të begatë!
Ai ka bërë thirrje për bashkimin e mendjeve të ndritura dhe të fuqive për të tejkaluar sfidat me të cilat po ballafaqohet vendi dhe për ta bërë Shqipërinë çfarë e dëshirojnsë qytetarët e saj.
“Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit! Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi! Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka”, ka thënë Presidenti Meta.
“Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen europiane këtu, në Atdheun e tyre!”, ka theksuar ai në mesazhin e urimit.
Mesazhi i plotë i Presidentit Meta:
Të dashur qytetarë,
Motra dhe vëllezër,
Të dashur bashkëkombas kudo ndodheni!
Dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta, për një Vit të Ri, që do ta shohë Shqipërinë më demokratike dhe më të drejtë, më të bashkuar e më të fortë, por edhe shqiptarët më të shëndetshëm dhe më të begatë!
Prandaj të gjithë së bashku, të mobilizojmë fuqitë dhe energjitë më pozitive të kombit tonë, por edhe mendjet më të ndritura për të tejkaluar sfidat e mëdha që kemi përpara!
Të mos i dorëzohemi indiferencës, përjashtimit dhe zemërimit!
Të mos lejojmë që e vërteta të përmbytet nga gjepurat, pasiviteti dhe nënshtrimi!
Me shpresë, besim, punë, këmbëngulje, përfshirje dhe dashuri ne mund të arrijmë gjithçka.
Në maj të vitit 1992, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që niste një marrëdhënie të re kontraktuale me Bashkimin Europian.
Ndaj uroj që 30 vite më pas, më në fund të shënojmë një hap të ri në procesin tonë të vonuar të anëtarësimit drejt Bashkimi Europian, përmes një përfshirjeje dhe aktivizmi më të madh qytetar për realizimin e kësaj aspirate strategjike.
Të mbrojmë vlerat tona kombëtare, të respektojmë liritë, të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, t’u përkushtohemi të rinjve tanë për t’u ofruar atyre çdo mundësi që ta ndërtojnë të ardhmen europiane këtu, në Atdheun e tyre!
Shqipëria europiane që duam të gjithë, stoliset edhe më shumë, kur bukuritë e saj natyrore pasurohen me bukuritë e punës dhe vitalitetit të popullit tonë e në radhë të parë, të të rinjve tanë.
Me këtë mesazh, dua t’ju bashkohem të dashur bashkëkombas, kudo ndodheni, pranë vatrave dhe familjeve tuaja, duke ju uruar nga zemra shëndet, mbarësi, paqe, lumturi, dhe begati!
(r.m.)