Postimi nmga presidenti Ilir Meta:
“Santa Cristina Gela, ndonëse bashkësia më e vogël dhe më e re arbëreshe e themeluar në Rajonin e Siçilisë, është një vatër e rëndësishme e dashurisë për identitetin tonë kombëtar, ku mbahen të gjalla figura e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kultura, gjuha, veshjet tradicionale dhe zakonet arbëreshe, që trashëgohen brez pas brezi.
Kënaqësi të takohesha përzemërisht me përfaqësues të këtij komuniteti, me autoritetet lokale dhe me Kryebashkiakun, Giuseppe Cangialosi, të cilët i përgëzova për përkushtimin për mbajtjen gjallë të këtyre vlerave dhe edukimin me to të gjeneratave të reja.
Kjo pasuri e çmuar e trashëgimisë europiane e botërore, urë e rëndësishme lidhëse e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, meriton të bëhet pjesë e UNESCO-s.
Por duhet përkushtim nga të gjitha autoritetet e të dy vendeve tona për mbrojtjen e këtyre vlerave, në veçanti për të forcuar lidhjen e të rinjve me rrënjët e tyre kombëtare, si një mundësi për të ndalur shpopullimin, një fenomen tragjik që ka prekur shoqëritë dhe të dyja vendet tona.”