Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani priti sot Ministren e Drejtësisë së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu dhe ekipin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Bashkëbisedimi u fokusua tek reforma në drejtësi, një proces që ka nisur prej 5 vitesh në Shqipëri.
Z.Metani bëri një prezantim të Zyrës së ILD-së dhe punës si institucioni më i ri i dalë nga reforma në drejtësi, ndërsa znj. Haxhiu tha se Kosova është e interesuar të marrë nga Shqipëria përvojën për procesin e vettingut të magjistratëve.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë shprehu gadishmërinë, në cdo rast që do i kërkohet, që të japë eksperiencën e punës së institucionit që drejton, c’ka u vlerësua pozitivisht nga Ministrja e Drejtësisë së Kosovës.
“Ky është një proces që ne e kishim të domosdoshëm, tha z.Metani. Pavarësisht vështirësive e sfidave është një proces që ka sjellë sukses. Në këtë drejtim inkurajoj përpjekjet tuaja për reformimin e drejtësisë, edhe pse është një rrugë e gjatë dhe aspak e lehtë. Sot prokurorët dhe gjyqtarët në Shqipëri, janë të mbrojtur me ligj e nuk ka mundësi të ndikohen nga askush, vetëm nëse e duan vetë një gjë të tillë.”
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Metani dhe Ministrja e Drejtësisë Haxhiu u dakordësuan që të mbajnë kontaktet për shkëmbim ekperience në këtë sfidë të re për Kosovën.