Zagreb, 20 qershor 2023 – Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në kohën kur i gjithë kontinenti evropian po kalon nëpër një situatë të ndjeshme.
Këto thirrje u bën nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, gjatë vizitës në Kroaci për shënimin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Zagrebit në Bashkimin Evropian.
Metsola tha se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një dëshmi se sa kanë ndryshuar rrethanat sot në Evropë dhe me çfarë sfidash po përballet kontinenti.
“Ne si Parlament Evropian u kemi bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të shtensionojnë situatën. Shtensionimi është fjala kyçe këtu. Nuk mund të shohim më shumë dhunë në kohën kur kontinenti ynë është aq i ndjeshëm”, tha Metsola.
Udhëheqësja e PE-së, duke iu referuar rolit të Kroacisë në rajon, tha se ky shtet mund të ndihmojë duke luajtur një rol aktiv, por edhe duke shërbyer si shembull se si zgjerimi i BE-së është një tregim suksesi.
“Transformimi i Kroacisë është shembull që duhet të ndiqet nga të tjerët. Kroacia mund të luajë rol udhëheqës për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm me mbështetje politike, por edhe me përvojën që ka gjatë procesit, përmes së cilit u bë anëtare”, tha Metsola.
“Partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor janë tepër gjatë në ‘dhomën e pritjes’ dhe kjo duhet të ndryshojë. Të dyja palët duhet të bëhen serioze dhe ky proces të lëvizë”, shtoi ajo.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, tha se shteti i tij është i gatshëm të mbështesë vendet e rajonit në rrugëtimin e tyre drejt BE-së dhe të ndajë me ta përvojën e Zagrebit në këtë proces.
(REL)