Metsola: Vendimi për heqjen e vizave për Kosovën – moment krenarie për Parlamentin Evropian

Strasburg, 19 prill 2023 – Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola ka uruar qytetarët e Kosovës për liberalizimin e vizave.

Metsola e cila mori pjesë në nënshkrimin e aktit ligjor për liberalizimin e vizave, tha se është një moment krenarie që sot dhamë dritën e gjelbër përfundimtare në këtë proces.

“Nënshkruar, vulosur, dorëzuar. Moment krenarie për Parlamentin Evropian, pasi sot dhamë dritën jeshile përfundimtare për liberalizimin e vizave me Kosovën. Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për popullin e Kosovës – të udhëtojë, të bëjë biznes, të thellojë lidhjen me evropianët”, ka shkruar Metsola në Twitter.

Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

(Telegrafi)