Michel: Ballkani Perëndimor duhet të futet sa më parë në BE

Bruksel, 29 prill 2024 – Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të pranojë anëtarë të rinj nga krahu i tij lindor dhe nga Ballkani Perëndimor.

 “Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së, sepse pa zgjerim rrezikojmë një ‘Perde të re të Hekurt” dhe kjo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, sidomos nëse kemi një fqinj ku mungojnë prosperiteti dhe zhvillimi ekonomik. Këto janë interesa të përbashkëta të vendeve kandidate dhe BE-ja duhet të bëjë progres në përshpejtimin e procesit. Jam besimplotë sepse e ndjej, se liderët evropianë ose shumica e tyre janë të bindur se kjo është e rëndësishme për të ardhmen”, ka thënë Michel për ENW, me rastin e 20 vjetorit të zgjerimit të BE-së.

Asokohe i ishte premtuar anëtarësimi 10 vendeve, nëntë prej të cilave presin t’i bashkohen Bashkimit Evropian, përfshirë Ukrainën, por procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe kompleks. Përveç kësaj, anëtarësimi i vendeve të reja kërkon një aprovim unanim të shteteve anëtare, gjë që e bën edhe më të vështirë këtë vendim. Hungaria tashmë është kërcënuar se do ta përdorë fuqinë e vetos për të penguar anëtarësimin e Ukrainës.

Megjithatë, Michel ka thënë se është besimplotë se kjo nuk do ta ndalojë shqyrtimin e kandidaturave nga vendet e bllokut.

“Për shembull, ne e kemi përdorur abstenimin, gjë që i jep mundësinë një vendi që pavarësisht rezervave që mund të ketë ndaj një vendimi, ta bëjë publik opinionin e tij, por pa e bllokuar shumicën dërrmuese të shteteve anëtare, që do të donin të bënin progres në fusha të caktuara”, ka thën՞ ai.

Më herët, Michel kishte deklaruar se BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj pas vitit 2030, por këtë javë ai ka thënë se vendet që kanë bërë progres të mjaftueshëm mund t’i bashkohen bllokut brenda kësaj dekade.

(r.m.)