Tiranë, 20 maj 2022 – Presidentin i Këshillit Europian, Charles Michel, deklaroi të premten në Tiranë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Duhet t’i japim energji të reja procesit të integrimit për të krijuar stimuj të rinj për reforma dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit. Po punojmë që të japim rezultate konkrete. Po bëjmë përshpejtimin e integrimit. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe bisedimet duhet të nisin sa më shpejt”, tha Michel në konferencë të përbashkët me kryemimnistrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shfaqi shpresën se Bullgaria nuk do të pengojë çeljen e negociatave të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, përndryshe ai do të kërkojë që rruga e Shqipërisë të mos varet nga marrëdhëniet midis Sofjes e Shkupit.
“Sa i përket Maqedonisë së Veriut, jemi në një linjë me Këshillin Europian dhe deri në fund, kur të mbahet mbledhja e Këshillit Europian, shpresojmë që Bullgaria të hapë rrugë. Në rast se kjo nuk do të ndodhë, do të ndryshojmë kursin dhe një shumicë e konsiderueshme shqiptarësh, Shqipëria, duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe të ndahet nga kthetrat e Bullgarisë”, tha Rama.
Kryetari i Komisionit Evropian e promovoi në Tiranë edhe idenë e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, për krijimin e bashkësisë gjeopolitike evropiane, në të cilën do të përfshiheshin edhe vendet evropiane që ende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, pra edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Objektivi kryesor që kam unë është t’i japim energji të reja procesit të integrimit në BE. Të fillojë biseda për anëtarësim sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë kam vendosur që çështjen se si do të punojmë me miqtë tanë ta vëmë në tryezë. Prandaj i ftova edhe miqtë tanë të Ballkanit Perëndimor që të marrin pjesë në takimin e qershorit. Ne mendojmë që është gjë e mirë që të diskutojmë me miqtë tanë për këtë ide, jo që të gjejmë një justifikim tjetër, por t’i japim një shtysë më të madhe kësaj”, tha ai.
Michel shprehu edhe qëndrimin e tij lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”, të cilës deri tani i kanë bashkuar Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ai tha se personalisht e mbështet këtë nismë dhe u bëri thirrje të gjitha vendeve të rajonit t’i bashkohen kësaj nisme.
“Për Ballkanin e Hapur, më lejoni ta përsëris se unë personalisht e mbështes. Uroj që të gjitha vendet t’i bashkohen kësaj nisme, pasi do të kenë aftësi për të bashkëpunuar në sfidat e përbashkëta që i ka rajoni. Sa më shumë që të jenë aq më të mëdha do të jenë mundësitë për të bashkëpunuar për të forcuar strukturat ekonomike e politike. Kjo do ta lehtësojë afrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Me paketa financiare shumë të mëdha që Bashkimi Evropian i ka aktivizuar për rajonin. Janë paketa që kërkojnë të favorizojnë lidhjet rajonale për të rritur bashkëpunimin ekonomik”, u shpreh Michel.
Ndërkq, Rama shtoi se për këtë nismë ka biseduar edhe në Gjermani. Ai tha se Gjermanuia nuk është kundër nismës “Ballkani i Hapur”, por se kërkon që ky proces të jetë gjithpërfshirës.
“Dje në Berlin kemi pasur takime me të gjitha partitë politike në Bundestag. Miti që është krijuar se Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur është një ushqim për konsum lokal. Gjermania nuk është kundër, por kërkon që të jetë gjithpërfshirës. Të gjithë janë të inkurajuar që të gjithëpërfshihen”, u shpreh Rama.
(r.m.)