Prishtinë, 19 nëntor 2024 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, e ka cilësuar temë artificiale çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në shtetin e tij
“Më besoni, këtu nuk bëhet fjalë për shqetësim. Askush nuk është kundër gjuhës shqipe. Përkundrazi. Ja, unë jam kryetar i Qeverisë, askush nuk është kundër, as në Maqedoni. Kjo është një temë artificiale. Kjo nuk është temë e cila dikujt i pengon ose nuk i pengon. Kjo është një temë që po mundohen ta imponojnë po disa hije nga e kaluara sepse nuk kanë temë tjetër, më besoni”, ka thënë Mickoski në një intervistë në televizionin Publik të Kosovës, RTK.
Mickoski ka thënë se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka qëndruar 5 vjet në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët e së cilës janë zgjedhur nga shumica e atëhershme parlamentare e LDDM-së dhe BDI-së.
“Çështja është se si këta, të njëjtit gjyqtarë të Kushtetueses, të votuar nga shumica e mëparshme e LSDM-së dhe BDI-së, i kanë mbajtur këto në sirtar për 5 vjet dhe i nxjerrin në sipërfaqe papritmas, tani, kur erdhi një qeveri e re, një qeveri pro-evropiane, një qeveri reformatore”, ka thënë ai.
Kryeministri maqedonas ka shpjeguar se nga Gjykata Kushtetuese është kërkuar vlerësim për tri nene të Ligjit për Gjuhët që kanë të bëjnë me kontestet gjyqësore.
“Ajo që sot është para Gjykatës Kushtetuese janë praktikisht tri nene të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, të cilat kanë të bëjnë me kontestet para gjykatave”, është shprehur Mickoski.
Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut është shtet i hapur për gjuhërt e kulturat e ndryshme, ku respektohet diversiteti.
“I tillë është shteti dhe ne jemi të bashkuar përballë diversitetit, dhe do të vazhdojmë të jemi”, ka thënë ai.
I pyetur për letrën që i është drejtuar nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në mbrojtje të mekanizmave mbrojtës për komunitetet, përfshirë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, Mickoski ka thënë se në letër i kërkohej t’i urdhëronte gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuse që do të thotë ndërhyrje në systemin e drejtësisë.
“Thelbi i letrës së tij është: po të drejtohem Hristijan t’u thuash gjykatësve kushtetues të mos e votojnë këtë që është në rend dite në Gykatën kushtetuese. Së pari, nuk i njoh. Po e përsëris. Së dyti, ai dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë votuar, nuk i kam votuar unë. Ai ishte deputet në Parlament dhe ai i ka votuar. Tani, si mund t’u them unë gjykatësve kushtetues, të cilët as nuk i njoh fizikisht”, është shprehur ai.
(r.m.)