Mickoski për flatarrestet ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së: Kushdo që s’i ka shkelur ligjet mund të vijë lirisht në Maqedoninë e Veriut

Prishtinë, 18 nӕntor 2024 – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka folur edhe lidhur me arrestimet e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Maqedoni të Veriut. 

Ai ka thënë se kushdo që s’i ka shkelur ligjet dhe Kushtetutën e shtetit të tij, mund ta vizitojë lirisht Shkupin. 

“Sa i përket personave që janë me fletarrestimet, askush që nuk i ka shkelur ligjet e Kushtetutën e  Maqedonisë së Veriut dhe askush që nuk ka konflikt me ligjet dhe Kushtetutën lirisht mund të vijë të shëtis në Shkup, në Maqedoni të Veriut, unë i ftoj të vijnë, ne jemi shtet mikpritës”, ka theksuar Mickoski.

Ai ka thënë se takimi që e zhvilloi me Kurtin para nënshkrimit të tri marrëveshjeve në mes të dy vendeve, ishte produktiv dhe me diskutime të hapura e transparente, që sipas tij ka rëndësi për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve në mes të dy vendeve.

Ai ka thënë se është i bindur që e ardhmja e të dy vendeve është në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Jemi të bindur se ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe se përmes angazhimeve të përbashkëta mund t’i tejkalojmë sfidat dhe të sigurojmë prosperitet dhe stabilitet për qytetarët tanë”, ka deklaruar ai.

(r.m.)